Parada e shqiptarëve më 28 Nëntor/ Veliaj: Do të jetë një ditë për mos t’u harruar

27/11/2023 13:08

Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me shoqatën “Albanian Roots”, do të organizojnë nesër paradën e shqiptarëve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

E kthyer tashmë në një traditë në New York, shqiptarët nga e gjithë bota do të bëhen bashkë këtë të martë në Tiranë.

Në një intervistë për Top Channel, në një lidhje direkte për edicionin e lajmeve, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj deklaroi se për këtë organizim janë bërë bashkë rreth 150 bashki dhe komuna.

“Bashkë me kolegët e Rrënjë Shqiptare kemi organizuar rreth 150 bashki e komuna. Disa kanë ansamblet e tyre, disa janë shumë profesionistë, disa të tjerë për shembull, bashkitë e Maqedonisë së Veriut do vijnë edhe me Ansamblin e tyre kombëtar, ashtu si yni, ndërkohë që ka disa bashki ku janë kryesisht nxënës e studentë që janë në ansamble amatore. Do ketë përfaqësues të atyre që vijnë nga Plava, Gucia, pra edhe komuna, bashki të vogla shqiptare të Malit të Zi, nga Presheva e Bujanovci. Shumica e bashkive të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, 47 delegacione arbëresh”.

Do jetë vërtet një ditë për të mos u harruar, sipas Veliajt.

“Do jetë vërtet e bukur. Shumica e delegacioneve kanë filluar të mbërrijnë dhe të bëjnë provat e tyre. E di që nesër do jetë një ditë sfidë. Nuk do jetë ky dielli që shkëlqen, por kur mendoj që po festojmë sakrificën e atyre që nuk pyetën nga plumbat, me pak sportivitet, me mushama, çadër në dirë, fëmijët në krah dhe flamurin me vete, besoj që do ta kalojmë këtë sfidë”.

Top Channel