Ngacmoi 19-vjeçaren dhe kërcënoi një tjetër me thikë, vihet në pranga 27-vjeçari, i dënuar më parë me 4 vite burg

26/11/2023 11:15

Një 27-vjeçar ka rënë në prangat e policisë, pasi ngacmoi seksualisht një 19-vjeçare dhe kërcënoi me thikë një vajzë tjetër.

Sipas policisë, mbrëmjen e djeshme ai ngacmoi seksualisht një 19-vjeçare në ambientet e punës dhe kërcënoi me thikë, një 20-vjeçare, në Rrugën e Dibrës.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas njoftimit të marrë se një një biznes në njësinë administrative nr. 8, një shtetas kishte ngacmuar seksualisht një 19-vjeçare, kanë organizuar menjëherë punën për identifikimin dhe kapjen e autorit dhe vënien e tij para përgjegjësisë ligjore. Falë veprimeve të shpejta profesionale u bë i mundur identifikimi dhe vënia në pranga e autorit të dyshuar, shtetasit M. Gj., 27 vjeç, banues në Tiranë”, sipas njoftimit të policisë.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se i arrestuari ka qenë i dënuar më parë me 4 vjet burgim, për marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura, dhe aktualisht është i liruar me kusht.

Sipas policisë, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel