Lirohen pengje të tjerë/ Izraeli ka listën e personave që dorëzon sot Hamasi

26/11/2023 13:47

Shkëmbimi i dytë i pengjeve është kryer me sukses të shtunën në mes të një armëpushimi në Gaza.

39 palestinezë u liruan nga burgjet izraelite, ndërsa grupi militant i Hamasit riktheu 13 pengje te Kryqi i Kuq, për t’u marrë në dorëzim më pas nga forcat izraelite. Palestinezët u pritën me brohoritma në Bregun Perëndimor.

 “Ne i themi rezistencës Zoti e ruajtë. Kështu duam të jenë burrat tanë. Zoti e ruajtë rezistencën në Gaza, mëshirë për dëshmorët tanë dhe shërim për të plagosurit. Rroftë rezistenca dhe rrofshin të gjithë ata të cilët e përkrahën.”

Kryeministri izraelit Netanjahu tashmë ka thënë se është bërë gati një listë e tretë me emrat e pengjeve që do lirohen këtë të dielë. Lista po konfirmohet paraprakisht me autoritetet dhe familjarët.

Ky do të ishte grupi i tretë i pengjeve në një marrëveshje që ka garantuar armëpushim katër-ditor mes palëve, dhe që parashikon lirimin e 50 pengjeve në Gaza, si shkëmbim me 150 palestinezë të mbajtur në burgjet e Izraelit.

Që nga e premtja, janë liruar në total 26 izraelitë dhe 15 shtetas të huaj nga Hamasi, në shkëmbim për 78 të burgosur palestinezë.

Hamas i qëndroi besnik marrëveshjes së armëpushimit të Shtunën edhe pse akuzoi Izraelin se ka shkelur kushtet duke mos lejuar ndihmat në Gaza.

Ndërkohë, qeveria e Katarit, e cila negocioi marrëveshjen e armëpushimit, shpreson për një zgjatje të saj përtej katër ditëve. Ministri i Punëve të Jashtme tha se momenti i krijuar nga lirimi i pengjeve këto dy ditë, po i jep mundësi Katarit të hyjë në diskutime më të thella për lirimin e plotë të tyre në ditët në vijim.

Ndërkohë, gjatë armëpushimit 61 kamionë me ndihma mjekësore, ushqime dhe ujë arritën të hyjnë në Gaza, sipas OKB. Gjithashtu ndihma arriti dhe në spitalin më të madh në Gaza, Al-Shifa, që ka qenë në qendër të luftimeve këtë javë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA