Vetëpastrimi i policisë po artikulohet gjithmonë e më shumë, pasi rastet e fundit të inkriminimit të zyrtarëve të lartë të policisë, kanë hedhur hije dyshimi ndaj gjithë strukturës,

Kjo e bën edhe më thelbësore punën e Agjencisë së Mbikqyrjes që tashmë drejtohet nga Florian Sulejmani I cili u emërua në këtë detyrë pas largimit të Ardi Veliut.

Zbërthimi i komunikimeve në rrjetin “Sky” zbuloi se punonjësi i policisë Dedan Gjoni ka konsumuar 3 vepra penale, atë të shpërdorimit të detyrës, trafikut të drogës dhe krijimin e kushteve për kryerjen e një vrasjeje, vepra për të cilat u la në burg pa afat nga Gjykata e Posaçme.

Shefi i krimeve të komisariatit nr. 6 i mundësonte informacione Ismail Zenelit për të vrarë hasmit e vet si dhe i informonte për ngarkesat penale që ata kishin në Europë, me ndihmë të koleges Jonida Babameto. Por, nga ana tjetër bashkëpunonte me ta për trafikimin e një sasie droge nga Spanja drejt Gjermanisë. Në të njëjtën dosje me akuzën e pastrimit të parave dhe përkrahjes së autorit të krimit është dhe ish-zyrtari i policisë Tiranë, Erzen Breçani.

Arrestimi i tyre erdhi vetëm pak javë pasi në pranga ra shefi i komisariatit Laç, Dritan Metaj. Ai dyshohet se ishte pjesë e bandës së trafikut të drogës nga Shqipëria në drejtim të Italisë, duke ndihmuar narkotrafikantin e shpallur në kërkim Gëzim Çela. Metaj dyshohet se kryente rolin e transportuesit të anëtarëve të grupit kriminal, duke shfrytëzuar postin e tij si komisar policie për të shmangur kontrollet e uniformave blu.

Me po të njëjtën vepër penale, më herët në pranga është vënë Leonard Palushi, ish shefi i krimeve në Komisariatin e Lezhës. Kur ishte me detyrë në Elbasan, Palushi dyshohet se ndihmoi një grup kriminal, duke prishur provat e krimit në ekzekutimin e Emiliano Ramazanit. Palushi futi armën e krimit në një servis për t’u arrestuar persona që nuk kishin lidhje me krimin. Ndërsa në operacionin “Metamorfoza”, në pranga ra Ardit Hasanbega, ish-shefi i krimeve në policinë e Shkodrës, i cili dyshohet se e ka krijuar kushtet e nevojshme për kryerjen e atentateve ndaj Ibrahim Licit dhe Dorian Dhulit. Në të njëjtin operacion u arrestua dhe ish-shefi i forcave operacionale, Oltion Bistri, për shpërdorim detyre.

Top Channel