Fundjava dhe ditët e pushimit, me rastin e festave kombëtare, kanë bërë që Korça të jetë thuajse e gjitha e rezervuar nga pushuesit.
Prej vitesh pushuesit e zgjedhin Korçën si një alternativë për të kaluar Festat e Nëntorit, por këtë herë duke përfituar edhe nga 5 ditët e pushimit, numri i tyre është edhe më i lartë.
“Rezervime kanë nisur që në fillim të muajit. Festat e Nëntorit përkojnë me një fundjavë të gjatë që nis prej sot dhe mbaron pas festave. Rezervimet janë dukshëm në rritje, krahasuar me vjet mund të themi që ka një rritje në masën 20%. Për shkak të kërkesës ne kemi rritur edhe organizimet e këtyre ditëve duke shtrirë edhe në paketa apo duke bashkëpunuar edhe me grupe muzikore”, tha një menaxher hoteli.
Flamujt kuq e zi valëviten në qendër të qytetit, ndërsa grupet e pushuesve mes të cilëve edhe nxënësit e shkollave, veç shëtitjeve në qytet vizitojnë muzetë dhe njihen nga afër me elementët historikë të Korçës/
“Jemi nga Tirana, kemi ardhur në ekskursion me shkollën. Vizituam Shkollën e Parë Shqipe dhe na pëlqeu shumë. Edhe këtu Katedralja dhe sheshi janë shumë të bukura”, thanë nxënësit.
Korça prej disa vitesh është kthyer edhe në një atraksion për turistët e huaj të cilët duket se nuk mungojnë as në këto ditë festive
“Vijmë nga Franca dhe kemi vendosur të vijmë në Shqipëri për dy javë. E kisha vizituar Korçën kohë më parë dhe në fillim nuk e dallova menjëherë sepse ka ndryshuar. Gati 10 vite më parë kur kam qenë këtu e gjithë kjo zona ka qenë duke u rikonstruktuar. Më pëlqen shumë do të qëndrojmë deri pasnesër këtu dhe më pas do të shkojmë në qytete të tjera”, tha një turist.
“Njerëzit janë shumë mikpritës. Qyteti më befasoi, rrugët janë shumë më të përmirësuara. Krahasuar me 20 vite më parë ka pasur një investim të madh për rrugët dhe kjo tregon që Shqipëria do të bëhet një vend edhe më i mrekullueshëm”, tha një tjetër turist.
Për festat e Pavarësisë epiqendra e festimeve mbetet Vlora, por për një numër të madh shqiptarësh edhe Korça është një tjetër destinacion.
Top Channel