Seriali H.O.T rikthehet në sezonin e dytë, që do të transmetohet ekskluzivisht në ekranin e Top Channel.
Duke filluar nga 7 janari, çdo të diel në orën 21:00 për 10 javë me radhë, publiku do të shijojë dramën shqiptare të producentit Ermal Mamaqi. Me një kast aktorësh të mirënjohur, H.O.T premton të bëjë për vete publikun.
I ftuar këtë të shtunë në “Më lër të flas”, Mamaqi foli për rikthimin e tij në Top Channel.
“Rikthehem në Top Channel, në vendin ku pothuajse lindëm, u rritëm. Sezoni i dytë i serialit H.O.T kthehet këtë radhë në Top Channel. Unë dhe bashkëproducenti im, Dritan Huqi, jemi shumë të lumtur që të shfaqim të dielën, në orën 21:00, nga data 7 janar në Top Channel. Për 10 javë me radhë”.
Ky sezon do të vijë me disa ndryshime, u shpreh aktori.
“Sezoni i dytë ka disa prurje të reja, do të jetë Zamira Kita në kastin e aktorëve. Serialin e kemi bërë më dramatik. Ka qenë dramë komedi. Tani jemi fokusuar te drama. Me fotografinë e Spiro Ninos, kemi marrë një nivel më të lartë të imazhit të serialit, kështu që besoj se do të pëlqehet nga publiku”.
Është privilegj i madh të jem sërish në Top Media, tha artisti, ndërsa moderatorët Romeo dhe Donald Veshaj këmbëngulën të dinin se përse Mamaqi u largua nga Tv Klan?
“Jemi miq me të gjithë televizionet. Mendoj se ky bashkëpunim që do të kem në Top Channel, do të jetë edhe më frtytdhënës, por edhe për disa arsye të tjera që nuk është rasti t’i them këtu. Të them të drejtën, një nga kameramanët nuk më pëlqeu si ishte ishte veshur një ditë (qesh)”, u përgjigj ai.
Top Channel