Dublin/ Sulmi me thikë pranë shkollës, policia në terr: Ende nuk e dimë arsyen

24/11/2023 08:12

Njësi speciale policore u dërguan në qendër të Dublinit pas trazirave të një dite më parë, kur një grup protestuesish u përleshën me policinë, dogjën makina e plaçkitën dyqane.

Zemërimin e tyre e nxiti plagosja e tre fëmijëve nga një sulm me thikë në afërsi të një shkolle të qytetit, një vajzë pesëvjeçare ende mbetet në gjendje kritike për jetën. E lënduar rëndë është po kështu dhe një grua, ndërsa një 40-vjeçar, që mori dhe ai plagë të rënda po kontrollohet nga policia si i dyshuar i mundshëm.

Forcat e rendit thonë se nuk po kërkojnë askënd tjetër në këtë moment dhe janë duke ndjekur një linjë të caktuar hetimi. Burime than për BBC se autori i dyshuar i sulmit ka nënshtetësi irlandeze e ka jetuar në vend prej 20 vitesh.

“Ne e dimë se çfarë ndodhi, por se cila ishte arsyeja, kjo për momentin është plotësisht e paqartë”, pohoi shefi i policisë, Drew Harris. Harris, fajësoi një “grup të çmendur të drejtuar nga ideologjia e ekstremit të djathtë” dhe bëri paralajmërime kundër “dezinformatave”. Duket se pikërisht reagimet në mediat sociale për kombësinë e të dyshuarit nxitën trazirat pas sulmit, të cilat konsiderohen si më të rëndat ndër vite në Dublin.

34 persona përfunduan në pranga, shumica e të cilëve dalin përpara gjykatës këtë mëngjes. Disa protestues mbanin pankarta ku shkruhej “Jetët irlandeze kanë rëndësi” ndërsa valëviteshin flamuj irlandezë nëpër një lagje në të cilën banon një komunitet i madh emigrantësh. Si për ironi, teksa sulmuesi mendohet të jetë irlandez, personi që e ndaloi atë kur pa që sulmohej me thikë një i mitur, është një emigrant 43-vjeçar nga Brazili.

Top Channel