Nga ARDI PULAJ – Kryeministri Edi Rama përsëriti te mërkurën ne Shkup kërkesën e Shqipërisë që NATO të përshpejtojë procedurat për bashkëfinancimin e bazës së Porto Romanos, e cila nëse bëhet realitet është një zhvillim pozitiv për Shqipërinë por edhe për Ramën.

Sepse Shqipëria, anëtare e Aleancës Veriatlantike nga 2009, me këtë bazë përfiton transformimin dhe modernizimin e infrastrukturës ushtarake të vendit. Duke pasur një bazë sipas standardeve të NATO-s, e financuar në një pjesë të caktuar nga vetë Aleanca, Shqipëria do të renditet te vendet anëtare me kapacitete moderne ushtarake. Një bazë e tillë gjithashtu do të rrisë rëndësinë e Shqipërisë në aspektin rajonal, duke pasur parasysh vatrat e nxehta të Ballkanit.

Përshpejtimi i procedurave, në thelb, i përshtatet dhe axhendës së Ramës, i cili do që vendi të ketë një rol më aktiv në punët e Aleancës, përfshirë këtu vënien në dispozicion të bazave të saj.

Si për çështjet rajonale, ashtu edhe më gjerë ndërkombëtare, kryeministri i Shqipërisë prej vitesh, por në mënyrë më të theksuar së fundmi, ka synuar të vendosë Tiranën zyrtare diplomatikisht në qendër të vëmendjes, qoftë kjo me qëndrimet e prera kundër pushtimit rus të Ukrainës (Rama nju kthye keq ambasadorit rus në OKB), marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por edhe në pjesëmarrjen në struktura të rëndësishme ndërkombëtare, rasti i Shqipërisë që u zgjodh për herë të parë anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për periudhën kohore 2022-2023 dhe kur kishte presidencën e kësaj strukture.

Rama ja paraqiti vitin e kaluar NATO-s idenë për ngritjen e bazës së Porto Romanos. Për të duhen investime, që ajo të rinovohet dhe të jetë sipas standardeve të Aleancës Veriatlantike.

Kur shefi i NATO-s Jens Stoltenberg takoi udhëheqësit e vendeve të Europës Juglindore në një samit të mërkurën në Shkup, kryeministri Rama solli në vëmendje sërish bazën e Porto Romanos. Jo pa qëllim: “Dëshiroj të theksoj kërkesën që aplikimi i Shqipërisë për të bashkëfinancuar me NATO-n bazën e re detare të NATO-s në Porto Romano, të procedohet sa më shpejt,” tha Rama përpara gazetarëve në Shkup.

Propozimin për kthimin e Porto Romanos në bazë të NATO-s, mediat britanike e quajtën vjet “një sinjal paralajmërimi nga Shqipëria presidentit rus Vladimir Putin”.

Ishte koha kur agresioni rus në Ukrainë ishte në muajt e parë të tij dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor vijonte të ishte i brishtë, me Kosovën dhe Serbinë në negociata pa rezultat e tensione dhe Bosnje Herzegovinën e brishtë, me thirrjet e përsëritura të Republikës Srpska, për shkëputje. Në të dy vendet, NATO ka një prani të konsiderueshme dhe ruan paqen dhe stabilitetin prej vitesh.

Shqipëria ka ofruar dhe një tjetër bazë, atë të Pashalimanit, në jug të Vlorës, e vetmja e Bashkimit Sovjetik në Mesdhe në vitet ’50. Ishte periudha kur Shqipëria komuniste kishte të njëjtën gjatësi valësh me Moskën. Pashalimani ishte “shtëpia” e nëndetëseve sovjetike. Trazirat e ’97-ës sollën shkatërrimin e bazës dhe nëndetëset e mbetura përfunduan për skrap. Më pas ishte radha e Turqisë, që ta merrte bazën, ta rindërtonte dhe ta përdorte. Si vend anëtar i NATO-s, Turqia e përdori bazën për patrullimet e anijeve të saj në detet Adriatik dhe Jon. Në vitin 2019, kreu i NATO-s për këtë kërkesë të Shqipërisë, që u artikulua nga ministrja e atëhershme e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, nuk kishte ndonjë vendim.

Një tjetër bazë në Shqipëri e epokës komuniste, ajo e Kuçovës po bëhet gati për të qenë bazë e NATO-s, ku Aleanca do të ketë qendrën e saj operacionale për avionët modernë luftarakë. Rreth 50 milionë euro do të shpenzohen në total për rinovimin e pistës, rrugëve lidhëse dhe magazinimin e karburanteve dhe municioneve.

Insistimi i Ramës edhe një herë në Shkup që Porto Romano të jetë një bazë e ringritur nga Shqipëria dhe NATO dhe që do t’i shërbejë Aleancës, erdhi me shpjegimin se një investim në bazën e Porto Romanos përforcon vlerën strategjike, jo vetëm për Shqipërinë e rajonin, por edhe për vetë NATO-n, e cila do të fitojë një tjetër akses të shpejt në këtë anë të Evropës për çdo rast.

Kur Rama takoi Stoltenberg vjet në verë në Bruksel dhe i dha idenë e bazës, shefi i NATO-s tha se po vlerësohej me seriozitet bashkëfinancimi për ngritjen e një baze ushtarake detare në Porto Romano.

Përsëritja e thirrjes nga Rama të mërkurën në Shkup për përshpejtimin e hapave, ende pret një përgjigje nga Brukseli.

Gazetar në Departamentin e Informacionit në Top Channel

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA