Ish-kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, mbetet në burg!
Gjykata e Lartë refuzoi rekursin e Dakos për një masë më të lehtë sigurie.
Dako mbahet në qelia që nga muaji qershor, nën akuzën për shpërdorim detyrim në dy raste.
Dako ankimoi vendimin e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që e la në arrest në burg.
Në seancën e vlerësimit të masës, Dako kërkoi detyrim paraqitje, arrest shtëpie ose garanci pasurore, duke e konsideruar masën shtrënguese arrest në burg si të padrejtë.
Në qershor, Gjykata e Posaçme firmosi 10 urdhër arreste për Dakon dhe ish-zyrtarë të Bashkisë Durrës, si edhe një biznesmen në fushën e ndërtimit. Procedimi penal ndaj tyre erdhi pas dy kallëzimeve. I pari ishte nga banorët e një pallati të dëmtuar nga tërmeti i nëntorit 2019, që akuzonin për vrasje të mbetur në tentativë.
SPAK zbuloi se pallatit i ishin shtuar pa leje 4 kate. Kallëzimi tjetër u dorëzua nga ish-Kreu I Partisë Demokratike në Durrës, Ferdinand Xhaferri, mbi bazën e gjetjeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit për një parregullsi në një procedure tenderi. Sipas KLSH, buxhetit të shtetit I ishte shkaktuar një dëm prej 180 milionë nga procedura e tenderimit për rehabilitimin e vijës bregdetare.
Top Channel