Për ftohjet, mos nxitoni të merrni ilaçe: Ky është rekomandimi i Agjencisë Kombëtare Franceze për Sigurinë e Barnave dhe Produkteve Shëndetësore (ANSM), sipas të cilës, barnat vazokonstriktore të mbështetura tek pseudoefedrina dhe të administruara nga goja, e që përdoren rëndim për të lehtësuar simptomat e ftohjes, mund të shkaktojnë rrezikun e infarkteve dhe hemorragjive cerebrale.

“Mos përdorni forma orale të barnave vazokonstriktore për të lehtësuar simptomat e ftohjes”, insiston Agjencia në fjalë.

Franca ka shtuar mbikqyrjen e autoritetet atje thonë se po marrin dhe masa të tjera kufizuese për të mbrojtur pacientët.

Ajo që dimë është se përballemi me një rrezik i cili në realitet konsiderohet i ulët, nënvizojnë ekspertët vendas, por që sipas tyre mund të marrë përmasa serioze në varësi të dozës së përdorur dhe kohëzgjatjes së trajtimit. Duke marrë parasysh në këtë rast natyrën jo të domosdoshme të vazokonstriktorëve, ANSM ka vendosur të këshillojë kundër përdorimit të tyre. Vendimi është marrë mbi bazën e të dhënave të fundit, që paraqesin dhe raste shqetësuese. Duke qenë se këto barna janë të disponueshme në shumë vende të tjera europiane, ANSM ka kërkuar rivlerësimin e tyre në nivel europian bazuar tek informacionet e reja. Agjencia Europiane për Vlerësimin e Barnave, EMA, me kërkesë të Agjencisë Franceze, nisi në fillim të këtij viti një rishikim të medikamenteve që përmbajnë pseudoefedrinë të përdorura për trajtimin e bllokimit  të hundës për shkak të ftohjes, gripit apo alergjisë. Barnat që përdoren për trajtimin e ftohjes janë kryesisht vazokonstriktorë. Prandaj është e paimagjinueshme që një medikament, i marrë qoftë nga goja, qoftë si spray, të ketë efekt vetëm në mukozën e hundës”, shpjegon për FattoQuotidiano.it profesor Antonio Rebuzzi, profesor i Kardiologjisë në Universitetin Katolik të Romës.

“Ne e dimë prej disa kohësh që këto barna në çdo rast shkaktojnë rritje të presionit të gjakut dhe, tek ata me sëmundje koronare të zemrës, shkaktojnë forma të anginës”, shton ai.

Top Channel