61 vepra në pikturë dhe skulpturë me natyrë kronologjike historike i kanë dhënë natyrën e një muzeu arti së fundi galerisë së artit në Sarandë.

Veprat me natyrë peizazhin, portretin, karakteret njerëzore por edhe aspekte të përdorimit të artit si mjet i propagandës gjatë diktaturës prezantojnë një qasje interesante dhe pak të njohur për vizitorët e huaj por edhe për nxënësit e studentët.

Veprat e rreth 60 autorëve përcjellin frymën e kohës kur janë krijuar, hapësirën e lirisë dhe kufizimeve për artistët, dinamikën e ngjarjeve që rrethonin jetën e përditshme dhe diferencat në stilin e të shprehurit përmes penelit dhe daltës. Ekspozita historike e galerisë rikthehet çdo vit në fund të sezonit dhe është mes koleksioneve më të mira të artit në vend sipas kreut të galerisë piktorit Lefter Çeko.

“Si çdo vit galeria funksionon edhe si muze me veprat e veta. Ne menduam që të kemi një ekspozitë retrospektive që nga veprat e para e më të vjetra e deri tek veprat e autorëve modernë nga shumë vende të botës përgjatë kolonive të fundit. Ekspozitat gjithnjë kanë një qëllim informimi nëpërmjet mjeteve të artit, të gjitha janë një formë e historisë së shkruar por me penel dhe daltë. Para viteve ‘90 arti ka qenë në funksion të propagandës, të qëllimeve që kishte partia në pushtet pra kemi periudhën kur gjithçka do të duhej të ishte e bukur dhe me dritë dhe nuk do duhej të dukej vuajtja. Me këtë fond kemi mundësi ti japim prezantime dinjitoze vizitorëve të kualifikuar dhe amatorë nga e gjithë bota por edhe vizitorëve vendas”, tha Lefter Çeko.

Këtë vit galeria bashkiake e artit në Sarandë ka sjellë rreth 12 ngjarje të rëndësishme artistike dhe pritet të mbyllet me një ekspozitë të galerisë kombëtare që do të qëndrojë e hapur deri në fillim të vitit të ardhshëm.

Gjatë 11 viteve që prej çeljes së galerisë në Sarandë janë organizuar mbi 60 ekspozita me rreth 5500 vepra të ekspozuara ndërsa fondi i galerisë po shkon në 300 vepra. Arti po kthehet në një prej aseteve më të çmuara të ofertës turistike të Sarandës përgjatë dekadës së fundit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA