E luajtur në mbi 150 skena botërore, vjen për herë të parë në Shqipëri si premierë absolute në teatrin Skampa të Elbasanit drama “Zyshë e dashur”.

Nën regjinë e Aldi Hysotoçi dhe në lojën e shkëlqyer të aktorëve Luiza Xhuvani, Aleks Seitaj, Ilirda Bejlerit, Amri Hasanlliu etj., drama solli për publikun reflektimin mbi përplasjet e brezave.

“Zgjedhja e premierës ka ardhur si pasojë e nevojës së shoqërisë për të pasur reflektimin mbi të rinjtë dhe përplasjen e brezave. Është një vepër e cila është shkruar për të edukuar brezat. Pra iniciativa fillestare e autores ka qene për ti folur rinisë rreth viteve që ajo e ka shkruar. Është një vepër e censuruar dhe që ka ardhur deri në vitet  tona me shumë sukses e vënë në mbi 150 shtete, por për herë të parë në Shqipëri.“- u shpreh regjisori Aldi Hysotoçi.

E gjithë drama luhet në shtëpinë e mësueses, në këtë rast e luajtur nga Luiza Xhuvani. Maturantët shkojnë ta urojnë për ditëlindje, por mentalitetet e tyre përplasen fort teksa i kërkojnë mësueses të ndërrojë provimet e maturën ku dyshonin se nuk kishin dalë mirë.

Është një vepër me mesazhe shumë të forta, me mesazhe që unë mendoj që janë edhe sot e kësaj dite kanë efekt mbi publikun. Dhe është një nga ato shfaqe që publiku vjen e shikon e shijon por diçka  brenda tij ndryshon.“- u shpreh aktori Aleks Seitaj.

Është rol i vështirë, shumë emocional, energjia që me erdhi nga publiku dhe ajo çka ndjeva ishte shumë pozitive.”- u shpreh aktorja Ilirda Bejleri.

Në vepër nënvizohet dhe roli i femrës në shoqëri duke e vendosur atë edhe nën presionet e dhunës, jo vetëm psikologjike.  Drama “Zysh e dashur” është një burim i madh i emocioneve te forta dhe do i japë kujtdo një force te brendshme për të reaguar dhe për të reflektuar, përballë asaj që po ndodh edhe sot në shoqërinë tonë.

Top Channel