
Tuneli i Luftës së Ftohtë në Gjirokastër ishte një prej monumenteve më të vizituara edhe përgjatë këtij sezoni turistik.
I njohur me termin “Vendkomanda e Shtabit të Mbrojtjes së Rrethit” objekti është ndërtuar rreth 84 m nën nivelin e kështjellës së Gjirokastrës dhe njihet si një nga veprat më të mëdha të mbrojtje, të ndërtuara gjatë socializmit në këtë rajon.
Olsi Sinani që ka guiduar grupe të shumta brenda objektit labirinth nëntokësor tregon se vizitorët i impresionon prania e objekteve të kohës por edhe gjurmët e paranojës ideologjike të sistemit diktatorial.
“Turistët janë nga Franca nga Spanja, nga Italia. Numri i turistëve është shtuar shumë nga viti në vit. Ju pëlqen fakti që objektet brenda tunelit janë origjinale dhe është një objekt i paprekur dhe duan të dijnë më shumë për historinë e ndodhur gjatë atyre viteve”, u shpreh Olsi Sinani.
Vizitorët që kanë qenë të trefishtë në numër krahasimisht me vitin e kaluar dhe vijnë nga vende të ndryshme e kanë rekomanduar këtë objekt për tu vizituar më shumë se 4000 herë në kanale të ndryshme online.
“Është hera e parë që vij në Shqipëri dhe në Gjirokastër. Vizituam kalanë pazarin dhe erdhëm tek tuneli sepse kemi dëgjuar nga shumë udhëtarë të tjerë sidomos nga Australia. Mua ma sugjeroi një mike por Google gjithashtu e rekomandon këtë vizitë. Ishte një eksperiencë unike dhe udhëtim brenda një historie absurde që njerëzit duhet ta mësojnë”.
“Unë jam gjerman pir jetoj në Hong Kong. Informacionin për këtë vend e kam marrë thjesht në internet. Ne po udhëtonim spontanisht këtu dhe pamë edhe një reportazh lajmesh për këtë vend dhe thamë le të shkojmë ta vizitojmë. Më kujton pak kohën time të ushtrisë në Gjermani sepse unë isha përgjegjës për menaxhimin e tuneleve të ngjashme të sistemit të mbrojtjes atje.”
“ Jam nga Spanja nga Madridi dhe kam dashur gjithnjë ta vizitoja Shqipërinë. Kur isha i vogël në vitet ‘90 dëgjonim vazhdimisht për komunizmin këtu dhe për një vend të mbyllur. Në tërësi ishte një vit shumë informuese për historinë e do ta rekomandoja për çdo vizitor.”
Tuneli me gjatësi 3000 m linear dhe një sipërfaqe të mjediseve të brendshme që i kalon të 5000 m² ishte projektuar i tillë që në rast sulmesh të grumbullonte atje funksionarët e Komitetit Ekzekutiv dhe Komitetit të Partisë së Rrethit. I ndarë në dy seksione paralele me 56 dhoma që ende mbajnë etiketat e kohës ky mjedis do të shndërrohej në një seli nga do të merreshin vendime dhe do të dilnin urdhërata e luftës , funksion që në fakt nuk e morri kurrë.
Bashkia e qytetit i është drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes me një kërkesë për ti vënë në dispozicion dokumente dhe inventarë që mund të hedhin më shumë dritë mbi objektin, historik që do ta bënte atë më atraktiv për vizitorët. Ndërsa prej të paktën 5 vitesh qytetarët janë ftuar të kontribuojnë me objekte të kohës për ta pasuruar këtë muze nëntokësor.
Top Channel