“Boll bombarduat foshnjat në Gaza”, Macron thirrje Izraelit: Ndaloni vrasjet!

11/11/2023 10:05

Izraeli duhet të ndalojë urgjentisht bombardimet në Rripin e Gazës dhe vrasjen e civilëve: në një intervistë për BBC-në, presidenti i Francës Emmanuel Macron, u shpreh se “nuk ka arsyetim” për bombardimet dhe i mëshoi idesë se armëpushimi do t’i sillte dobi edhe Izraelit.

“De fakto, sot, civilët po bombardohen, de fakto. Këto foshnje, këto zonja, këta të moshuar po bombardohen e po vriten. Nuk ka arsye për këtë dhe as ligjshmëri. Prandaj, ne i bëjmë thirrje Izraelit të ndalet”, deklaroi shefi i Elizesë. Ai e përsëriti se Franca “i dënon qartazi veprimet terroriste” të grupit palestinez Hamas, i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

E megjithatë, teksa shtoi se Franca e njeh të drejtën e Izraelit për t’u vetëmbrojtur, sërish insiston për ndalimin e sulmeve ajrore në Gaza. I pyetur nëse do të dëshironte që edhe liderët e tjerë, përfshirë ata të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe, t’i bashkohen kërkesës së tij për armëpushim, Macron tha: “Shpresoj se do ta bëjnë”.

Izraeli është përballur me thirrje të mëdha për t’u vetëpërmbajtur në luftën tashmë njëmujore me grupin ekstremist, Hamas, por e argumentonte kundërshtinë e tij me bindjen se militantët e këtij grupi, të cilët e sulmuan Izraelin më 7 tetor dhe vranë e rrëmbyen njerëz, do ta shfrytëzonin pushimzjarrin për të grumbulluar forcat sërish.

Në një reagim ndaj Macronit, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se liderët botërorë duhet ta dënojnë Hamasin, e jo Izraelin. “Këto krime që Hamasi po i kryen sot në Gazë do të kryhen nesër në Paris, Nju Jork dhe çdo kund në botë”, deklaroi ai.

Agjencitë e OKB-së thonë se kriza humanitare në Rripin e Gazës po thellohet ndërsa numri i vdekjeve të civilëve vazhdon të rritet, vrasja e punonjësve humanitarë të Kombeve të Bashkuara ka arritur në nivele të pashembullta, lagje të tëra janë rrafshuar nga bombardime të pamëshirshme dhe miliona njerëz nuk janë në gjendje të marrin ushqim, ujë dhe ilaçe të mjaftueshme. “Nëse sot ka një ferr në Tokë, emri i tij është Gaza veriore”, u shpreh Jens Laerke, zëdhënës i Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare.

Top Channel