​Shpërthim në strehimin e refugjatëve në Itali, të paktën 30 të plagosur

11/11/2023 15:52

Të paktën 30 persona janë plagosur në Italinë qendrore pas një shpërthimi në një vendstrehim refugjatësh që shkaktoi shembjen e ndërtesës.

Shumica pësuan lëndime të lehta në shpërthimin e së premtes mbrëma, megjithëse një person u transportua me avion në një spital në Romë, thanë autoritetet në qytetin e San Lorenzo Nuovo.

Agjencia italiane e lajmeve ANSA raportoi se ka nisur një hetim për shkaktimin e lëndimit trupor nga pakujdesia dhe se shkaku i shpërthimit është i paqartë. Deri më tani, nuk ka pasur indikacione se mund të jetë një sulm.

Në vendngjarje, tre helikopterë transportuan të plagosurit në spitalet e Viterbos, Montefiascone, Sienës dhe Romës. Të pranishëm ishin edhe njësi të ndryshme zjarrfikëse nga Viterbo dhe Tarquinia. Prokurorët e Viterbos, të koordinuar nga prokurori Paolo Auriemma, kanë hapur një dosje hetimore në lidhje me shpërthimin që shkaktoi shembjen e një ndërtese në San Lorenzo Nuovo që strehonte emigrantë. Për momentin magjistratët procedojnë për veprën penale të fatkeqësisë nga pakujdesia.

Shkaqet që shkaktuan shpërthimin janë ende të paqarta. Prefekti i Viterbos, Antonio Cananà ka thirrur një mbledhje urgjente për këtë pasdite për të sqaruar se çfarë ka ndodhur.
Nuk kishte sisteme gazi brenda strukturës – sqaruan administratorët e ‘Ospitës’ – si për ngrohje ashtu edhe për gatim. Do të duhet të konstatojmë origjinën e shpërthimit, ne e konsiderojmë veten të dëmtuar“.

Ndërtesa e shembur ndodhet në zonën industriale të qytetit, ku kryesisht banonin burra.

Top Channel