Çështja “Partizani” është një prej temave më të nxehta të diskutuara këtë periudhë në vendin tonë.

Në lidhje me hetimet e kryera nga SPAK, Jamarbër Malltezi ra në pranga dhe aktualisht ndodhet në burg, kurse për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe ndërtuesin Fatmir Bektashi Gjykata e Posaçme Antikorrupsion vendosi masën “detyrim paraqitje”.

Berisha e konsideron një skenar politik përfshirjen e tij dhe të dhëndrit Malltezi në këtë shkelje, duke rrëzuar akuzat e SPAK-ut.

Në sondazhin e vendosur nga Top Channel Web ka rezultuar se, 78,38% e qytetarëve mendojnë se SPAK do të triumfojë në këtë dosje, ndërsa 21.62% e tyre e shohin të arsyeshme se ish-kryeministri është i pafajshëm dhe në fund do të rrëzohen akuzat ndaj tij.
Pyetja që iu drejtua qytetar ishte:

“Për çështjen “Partizani”, kush mendoni se do të fitojë në gjykatë SPAK apo Berisha?”

Dhe në shumicë qytetarët kanë votuar në favor të SPAK. Ish-kryeministri megjithatë nuk e njeh vendimin e GJKKO-së dhe nuk është paraqitur në SPAK, pavarësisht lajmërimeve nga Prokuroria e Posaçme, ndërsa përmes avokatëve ai kërkoi shuarjen e masës “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, e cila në fund u rrëzua nga GJKKO.

Ende nuk dihet se si pritet të shkojë çështja, ama çdo ditë shihet sesi jeta politike shqiptare është ‘trazuar’ pas zhvillimeve të fundit.

Top Channel