Kur Gjykata e Apelit nuk ka caktuar ende një datë për të shqyrtuar ankimimet e vetëm 2 prej të dyshuarve, Sali Berisha e Jamarbër Malltezi dhe kur kanë mbetur edhe 10 ditë për të kuptuar se çfarë do të merret në rast se ish kryeministri nuk do të paraqitet para oficeres së policisë gjyqësore, SPAK po vijon i patrazuar veprimet e tjera hetimore.
Gjatë ditës është administruar sërish një deklaratë marrë në pyetje i dyshuari i tretë Fatmir Bektashi, i cili është marrë në pyetje edhe në prill 2023. Megjithatë shumë veprime të tjera mbeten sekret
Veç shkresave të sekuestruara mbi dosjen Partizani, Bektashi konsiderohet si çelës për prokurorët antikorrupsion, që e dyshojnë se përmes shoqërisë Homeplan, i siguroi dhëndrit të ish-kryeministrit dhënien e përfitimeve të paligjshme përmbi 5 milionë euro.
Nëpërmjet të njëjtës shoqëri, SPAK insiston se biznesmeni dhe Malltezi në bashkëpunim i pastruan paratë duke fshehur origjinën e vërtetë të tyre. Nuk dihet ende nëse pikërisht rrëfimi i tij i mëparshëm mbi ortakërinë, përpjekjet disa vjeçare për të realizuar privatizimin, apo mosha u bënë shkak që edhe gjykata të mbajë qëndrim tolerant për masën personale.
Me ish-kryeministrin Berisha të dyshuar për korrupsion, i cili e konsideron vendimin në shkelje kushtetuese, Malltezin që e cilëson çështje politike, SPAK ka reaguar vetëm njëherë dhe pikërisht ditën kur njoftoi se gjykata i kishte pranuar kërkesën ndaj tre të dyshuarve si kërkesën për sekuestro të 16 pasurive midis tyre 6 llogari bankare dhe aksione.
Fatmir Bektashi nuk e ka ankimuar masën e detyrimit me paraqitje. E teksa ai pyetet brenda në SPAK, jashtë për sytë e publikut ai ka vendosur të heshtë, ndonëse kjo heshtje nuk mund të quhet e tillë për të tjerë, por një mesazh.
Top Channel