Foshnja e porsalindur, e cila u braktis nga nëna e saj një ditë më parë ndërroi jetë sot, ndërsa ndodhej në gjendje të rëndë në spital.

Sipas njoftimit  të maternitetit “Koço Gliozheni”, aty ku foshnja po merrte ndihmën mjekësore, ndërroi jetë në orën 10:45, ndërsa diagnozat klinike ishin hipotermi e thellë, politraumë, hemorragji pulmonare, insufiçience multiorganore dhe arrest kardiorespirator.

“Ashtu siç jeni njoftuar gjatë gjithë ditës së djeshme, pranë SUOGJ “Koço Gliozheni”, është sjellë në gjendje të rëndë traumatike, një foshnjë e lindur dhe e braktisur në ambientet e një garazhi! Me të mbërritur në spital foshnjës i është dhënë ndihma e parë në reanimacionin neonatal dhe pas shumë përpjekjesh është arritur të kthehet në jetë edhe pse në gjendje të rëndë! Për 24 orë është luftuar fort nga ana e stafit mjekësor për ta fituar betejën për jetën e kësaj foshnjeje. Pavarësisht punës, përpjekjeve dhe dëshirës së madhe për fat të keq kjo gjë nuk u arrit! Me hidhërim të thellë njoftojmë humbjen e jetës së foshnjës! Foshnja ndërroi jetë në orën. 10:45, datë 09.11.2023  Diagnozat klinike Lindje në term/ Lindje per vias vaginalis/ Hipotermi e thellë/Politraumë/ Hemorragji pulmonare/Insufiçience multiorganore/Arrest kardiorespirator. Falënderojmë Ministrinë e Shëndetësisë dhe Punës Sociale, Policinë e Shtetit si dhe të gjithë qytetarët që na kanë mbështetur fuqimisht në betejën tonë për jetën, që fatkeqësisht këtë herë e humbëm”, sipas spitalit.

Foshnja e gjinisë mashkull ishte në gjendje të rëndë dhe mbahej i intubuar që prej ditës së djeshme. Në momentin e mbërritjes në reanimacion foshnja ishte i mbuluar me gjak e baltë. Mjekët konstatuan hipotermi të thellë, gërvishtje të syrit të majtë, të gojës, të gishtave të dorës së djathtë dhe dëme të tjera që u konstatuan pas larjes.

Një ditë më parë ai mbërriti pa shenja jete dhe u reanimua intesivisht duke u intubuar nga mjekët. Pas reanimimit intensiv prej 40 minutash, shfaqi shenja jete dhe më pas u bë mjekimi i plagëve.

Mësohet se fëmija në momentin e parë u gjet i zhveshur, me kordonin umbelikal të pa prerë dhe i mbuluar me gjak.

Nëna e foshnjës së braktisur u identifikua një ditë më parë dhe u ndalua nga policia. Pas shoqërimit në komisariat, gruaja shkoi në spital për të marrë kujdes mjekësor.

Gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat thotë se ajo është një grua 30-vjeçare nga Pogradeci, e cila jetonte në rrugën “3 Dëshmorët” në Tiranë.

Nëna e foshnjës e identifikuar si E. I. është arrestuar sot dhe mbi të rëndon akuza “Braktisja e fëmijëve të mitur”.

Kur u pyet nga policia, nëna në gjendje të renduar psikologjike tha se aktin e kreu në gjendje paniku. Sipas informacioneve, mjekët dyshojnë se ajo mund të vuajë nga depresioni postpartum.

Ajo nuk është e martuar dhe jetonte me prindërit pak blloqe pallatesh nga vendi ku dyshohet se realizoi lindjen.

“Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, që bën fjalë për gjetjen e një foshnje të sapolindur, në bodrumin e një pallati në Yzberisht, ju informojmë se: Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 kanë arrestuar shtetasen E. I., 30 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Braktisja e fëmijëve të mitur”. Ditën e djeshme, shërbimet e Policisë, së bashku me stafin mjekësor, kanë dërguar në spital, foshnjën e braktisur nga kjo shtetase, por pavarësisht ndihmës së menjëhershme të dhënë nga shërbimet e Policisë dhe stafit mjekësor, ditën e sotme foshnja ka ndërruar jetë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme”, thekson policia.

Kujtojmë se djali i sapolindur është gjetur nga një banor i pallatit, i cili dëgjoi të qarat nga bodrumi i ndërtesës.

Top Channel