Progres-raportet, Turqia e nxehur me BE-në: Paragjykuese për anëtarësimin tonë!

09/11/2023 08:05

Kur erdhi fjala tek Turqia, raporti vjetor i Komisionit Europian kishte mjaft kritika për kthim pas në standardet demokratike, sundimin e ligjit, në fushën e të drejtave të njeriut dhe në pavarësinë e gjyqësorit.

Kjo nuk i pëlqeu Ankarasë. Ministria e jashtme turke reagoi ashpër duke e cilësuar gjykimin e KE-së si të “ padrejtë dhe paragjykues”.

“Ne i kundërshtojmë kategorikisht pretendimet dhe kritikat e pajustifikuara, kryesisht për kriteret politike dhe kapitullin për gjyqësorin dhe të drejtat themelore”, thuhet në deklaratën e saj. Komisioni doli po ashtu në përfundimin se Turqia nuk ka vepruar në përputhje me rregulloret për sundim të ligjit, të drejtat e njeriut dhe të drejtat themelore në luftën kundër terrorizmit.

Ministria turke i cilëson këto supozime si dëshminë e “mungesës së sinqeritetit të BE-së dhe standard të dyfishta”, duke shtuar se çështjet që lidhen me të drejtat themelore, janë të diskutueshme edhe brenda vendeve të bllokut europian.

Përfundimet e raportit rrezikojnë t’i tensionojnë edhe më shumë marrëdhëniet mes BE-së dhe Turqisë, për shkak të çështjeve të lidhura me emigracionit e së fundi, edhe për shkak të qëndrimeve për luftën Izrael-Hamas. Edhe pse bisedimet e Ankarasë për anëtarësim kanë nisur që në 2005-sën, ato kanë mbetur prej vitesh në vendnumëro.

Top Channel