Rreshjet e dendura krijojnë problematika në vend, Mbrojtja: Masiv gurësh në aksin Skuraj –Burrel, bllokohet rruga

08/11/2023 10:46
Foto Ilustruese

Rikthimi i reshjeve intensive në një pjesë të madhe të territorit të vendit ka krijuar disa problematika.

Ministria e Mbrojtjes bën me dije se në aksin rrugor Skuraj –Burrel ka rënie masive gurësh dhe bllokim të rrugës, ndërsa forcat e emergjencave po punojnë për pastrimin e saj. E njëjta situatë paraqitet edhe në fshatin Shkopet, si dhe në njësinë administrative Milot, në Kurbin.

Mbrojtja thekson se ka prani uji në oborret e disa banesave në Mirditë, për shkak të daljes nga shtrati të lumit të Zmesë.

Situata po monitorohet në Durrës, ku ka prani të ujit në disa rrugë, duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve, kryesisht në zonën rreth stadiumit, Plazhit, Plepa dhe te “Ura e Dajlanit”.

Po ashtu po punohet për riparimin e defekteve në sistemin energjetik në disa zona në Kukës, Tropojë, Shkodër. Të gjithë brigadat e OSSH ndodhen në terren për riparimin e avarive, por për shkak të motit të keq dhe për të ruajtur sigurinë e kushteve të punës, elektricistët e OSSH bëjnë kujdes dhe nuk mund të punojnë, deri në normalizimin e reshjeve dhe ndalimit të shkarkesave atmosferike.

Ministria e Mbrojtjes siguron qytetarët se të gjitha forcat janë në terren për të shmangur çdo problematikë që shfaqet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA