Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Spanjës i dorëzon Rrumbullakut “Urdhrin e Meritës Policore” dhe “Medaljen e Kryqit të Bardhë”

07/11/2023 10:58

Në vlerësim të bashkëpunimit të bazuar në profesionalizëm dhe në besueshmëri, të demonstruara gjatë hetimeve dhe operacioneve të përbashkëta, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Kombëtare të Spanjës, z. Francisco Pardo Piqueras i ka dorëzuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë shqiptare Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku “Urdhrin e Meritës Policore” dhe “Medaljen e Kryqit të Bardhë”, të akorduara nga Ministri i Brendshëm i Mbretërisë spanjolle.

Njëkohësisht, u vlerësuan me “Medaljen e Kryqit të Bardhë”, Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, Drejtues i Lartë Saimir Boshnjaku dhe Drejtori i Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Drejtues i Lartë Pëllumb Seferi.

Ndërkohë, për të vlerësuar bashkëpunimin dhe rezultatet e arrira së bashku, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku iu dorëzoi “Medaljen e Nderit”, të akorduar nga Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, 3 drejtuesve të strukturave për Kufirin dhe Emigracionin, të Policisë Kombëtare spanjolle, konkretisht:

-Komisarit të Përgjithshëm të Emigracionit dhe Kufirit të Policisë Kombëtare të Mbretërisë së Spanjës, z. Julián Ávila Polo;

-Drejtuesit të Departamentit Qendror të Riatdhesimeve dhe Kthimeve në Komisariatin e Përgjithshëm të Emigracionit dhe Kufirit, z. David Bartolomé Sanz;

-Drejtuesit të Departamentit të Koordinimit dhe Emigracionit në Komisariatin e Përgjithshëm të Emigracionit dhe Kufirit, Z.Fernando Vaquero Moreno.

Në ceremoninë për dorëzimin e medaljeve për zyrtarët e lartë të Policisë së Shtetit, ishte i pranishëm dhe Ambasadori i Shqipërisë, në Spanjë, z. Gazmend Barbullushi.

Gjatë ceremonisë së zhvilluar, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku shprehu falënderimet për vlerësimin e bërë, për të cilin u shpreh se ndjehet shumë krenar dhe se është një motivim për të dhe për 2 drejtorët e departamenteve, për të përmbushur me devocion misionin e vështirë të përballjes me sfidën globale të luftës kundër krimit. Po ashtu nënvizoi se ky është një vlerësim që i bëhet të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët me profesionalizimin e tyre kanë sjellë realizimin e suksesshëm të një sërë operacionesh të përbashkëta në luftën kundër krimit dhe kanë ndihmuar në forcimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi, jo vetëm profesional, por dhe miqësor.

Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Kombëtare të Spanjës, z. Francisco Pardo Piqueras theksoi se kjo ceremoni ka një domethënie të veçantë, pasi vlerësohen punonjës të 2 policive, Policisë spanjolle dhe Policisë shqiptare, vlerësimi i cili është një dëshmi e bashkëpunimit shumë të mirë të vendosur mbi baza të besimit reciprok mes palëve. Gjithashtu, z. Piqueras u shpreh se në kohët e sotme, kur lufta ndaj krimit është një sfidë globale, bashkëpunimi është një element shumë i rëndësishëm, si në nivel bilateral ashtu dhe në atë multilateral.

FOTO GALERI
3/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA