Vendimet e gjykatës duhet të zbatohen nga të gjithë por ky parim nuk gjen zbatim në Shqipëri.

Referuar statistikave të policisë së shtetit çdo muaj mesatarisht 10 persona e thyejnë masën e dhënë nga gjykata

“Masa e “arrestit në shtëpi” është masa që thyhet më shpesh në masën gati 70% të rasteve. Përveçse është një masë detyruese arresti në shtëpi është lënë në vullnetin e subjektit. Kjo situatë është edhe prej dështimit të kontratave të byzylykëve elektronikë.  Prej atëherë nuk është bërë asnjë kontratë e re që policia apo ministria e drejtësisë të ketë mundësi të survejojë nëpërmjet teknologjisë”, tha avokati Ermal Hamataj.

Thyerja e masës së “arrestit në shtëpi” e ngarkon personin edhe me një vepër tjetër penale, që e ka dënimin deri në 5 vjet që jo rrallë herë është ndëshkim më i ashpër sesa vepra fillestare për të cilën gjykata e la në shtëpi.

“Masa të tjera të cilat thyhen janë ato që jepen për dhunën në familje dhe urdhrat e mbrojtjes”, tha avokati.

Në të tilla raste shpesh vendimet e gjykatës nuk gjejnë zbatueshmëri në realitet pasi në rast konflikti burri detyrohet nga gjykata të qëndrojë 100 metra larg gruas kur faktikisht ata jetojnë në një banesë.

Top Channel