Pasojat e stuhisë ‘Ciaran’ në Shqipëri/ Si paraqitet sot situata në Durrës, Shkodër, Lezhë, Elbasan dhe Fier

04/11/2023 09:46

Stuhia ‘Ciaran’ që goditi dje Shqipërinë ka lënë pasoja në shumë qarqe të vendit, kryesisht me bllokimin e rrugëve dhe probleme me energjinë elektrike.

Reshjet e dendura të shiut vijuan edhe gjatë natës, por situata sot paraqitet më e lehtë se dita e djeshme, e cila përmbyti rrugët duke shkaktuar aksidente, trafik dhe kaos.

TIRANË

Kryeqyteti sot është lehtësuar. Niveli i Lumit Lana që doli dje nga shtrati ka rënë, ndërsa janë pastruar edhe rrugët nga rrëzimi i pemëve. Rrugët janë të kalueshme dhe sot nuk raportohet për trafik.

DURRËS

Situata është e qetë. Gjatë natës në territorin e qarkut Durrës ka pasur prani të reshjeve me intensitet të ulët deri mesatar, me karakter sporadik, ku herë pas herë ka pasur prani të erës. Niveli i prurjeve në të dy lumenjtë Ishëm dhe Erzen (problematikë nga përvoja e viteve të kaluara), janë rritur por nuk paraqet rrezik për dalje nga shtrati.  Hidrovorët e Porto-Romanos dhe Hamallajt vijojnë punën me kapacitet të plot. Akset rrugore janë të kalueshme pa probleme. Furnizimi me ujë dhe energji elektrike vijon normalisht me përjashtim të disa defekteve për shkak të dëmtimit të rrjetit elektrik nga prania e erës gjatë natës. Në lagjen Baromet, Shijak për shkak të bllokimit të disa pusetave ka dalë uji në rrugë. Është duke u punuar me pompë thithëse nga ana e forcave zjarrfikëse.

ELBASAN

Gjatë natës në Elbasan ka pasur reshje shiu me intensitet mesatar të cialt deri në mëngjesin e sotëm kane arritur në 50mm. Akset rrugore Elbasan-Qafë Thanë, Gramsh-Moglice, Elbasan-Gjinar, Librazhd-Sterbleve kanë pasur rënie inertesh e gurësh. Disa akse rurale te bashkisë Librazhd dhe të bashkisë Gramsh e Cerrik kanë pasur inerte dhe depërtim të ujerave në rrugë. Prurjet e lumenjve e përrenjve janë ne nivel mesatar. Ka probleme me furnizimin e energjisë elektrike në Peqin, rrethinat e Cërrikut, në Labinot Mal, Funare, bashkia Elbasan, Nj.A Shalës e Mollas bashkia Cerrik, Nj.A Orenje e Stebleve bashkia Librazhd dhe Porocan bashkia Gramsh.

KORÇË

Vazhdon të jetë e rëndë situata sa i përket furnizimit me energji elektrike në juglindje.  Problemet më të shumta janë në zonat malore dhe në disa fshatra të fushës Maliq.  Fshatra të njësive Çlirim në  Ersekë si dhe Dardhas, Çerravë dhe pjesërisht në Velçan në Pogradec. 13 fshatra të njësisë Gorë në Maliq janë po ashtu pa energji si dhe fshatra të njësive Vreshtas dhe Moglicë.  Pa energji nga dita e djeshme është edhe Panariti i cili është izoluar nga rrëshqitja  e dherave pranë tij. Stakime të kontrolluara për shkak të kushteve të vështira atmosferike ka pasur në fshatra të fushës Devoll dhe fshatra të Korçës. 16 grupe pune janë në terren duke punuar për rikthimin e energjisë. Nga ana tjetër ndërmarrja e shërbimeve në bashkinë Korçë po punon për të hapur rrugën e fshatit Panarit. E vështirë paraqitet situata në fshatra të thellë malorë të njësive Dardhas e Velçan në Pogradec ku rrugët janë bërë të pakalueshme si pasojë e reshjeve.

Situatë e vështirë paraqitet dhe në Kolonjë, pasi disa përrenj kanë dalë duke përmbytur disa toka, duke dëmtuar dhe zahiretë e fermerëve.

FIER

Në Fier deri më tani raportohen problematika sa i përket furnizmit me energji elektrike në disa zona. Më konkretisht raportohet se janë jashtë pune fideri i Mbrostarit, fideri i Daullasit, fideri co2 , fideri 20 dhe pulari 2. Grupet e punës janë në terren duke punuar për rikthimin në punë të fiderave të difektuar.

LEZHË

Situata vijon të jete e qetë në Lezhe. Janë të gjitha strukturat në terren dhe deri më tani nuk paraqitet asnjë situate serioze. Pasi janë njoftuar se një familje ka mbetur e bllokuar kanë shkuar në terren emergjencat civile dhe situata paraqitet e qetë dhe nuk ka probleme nga rritja e nivelit te ujit duke mos përbërë rrezik për familjen. Probleme të furnizimit me energji elektrike ka në të gjitha zonat rurale, për shkak të erës dhe rrjetit të amortizuar. Grupet e punës të OSHE po punojnë për riparimin e defekteve ndërsa kuotat e lumenjve Drin e Mat janë në nivele minimale.

SHKODËR

Reshjet e dendura të shiut në qarkun Shkodër kanë vijuar deri në mëngjes. Si pasojë e daljes nga shtrati të përroit u bllokua segmenti Theth- Ndërlysaj, i cili u zhbllokua, ndërsa ne fshatin Buzhalë të Pukës, si pasojë e shkarjes së dherave u dëmtua kabina e këtij fshati duke ndërprerë energjinë elektrike, ndërsa në rrugët nacionale ka pasur rënie inertesh. Autoriteti Verior nuk raporton probleme në akset rrugore që mbulon DRV Shkodër. Gjatë natës si rezultat i reshjeve të shiut ka patur rënie të inerteve dhe gurëve nga skarpatet por pa shkaktuar probleme në qarkullim. Kontraktorët janë në gadishmëri me mjete e fuqi punëtore. Shumë banesa në Fushë Arrës, Kelmend, Razëm janë pa energji elektrike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA