Stuhia “Ciaran” la pas dëme të konsiderueshme në disa biznese të përmbytura në Tiranë dhe disa qarqe të tjera të vendit, ndërkohë që reshjet vijuan me intensitet më të ulët këtë të shtunë.

Specialistet e Institutit të Gjeoshkencave thonë se përgjatë së dielës do ketë reshje me intensitet të lartë në Kukës dhe në Shkodër. Ndërkohë, në qarkun e Lezhës priten reshje me intensitet mesatar, ndërsa në qarqet e tjera situata do të stabilizohet.

Përgjatë së shtunës së 4 nëntorit në qarkun e Dibrës, në malësinë e Bulqizës reshjet e shiut u shoqëruan me ulje temperaturash edhe me reshje bore.

Nga ana tjetër prej dy ditësh reshjet e dendura të shiut kanë sjelle probleme në rrugët nacionale dhe ato rurale të Bulqizës, deri në bllokime për shkak të rrëshqitjeve të inerteve në disa akse rrugore nacionale.

Më të prekura kanë qenë rruga e Arbrit dhe ato rurale në Njësinë administrative Zerqan në fshatin Ternovë, ku për hapjen tyre kanë ndërhyrë vetë banorët vendas. Probleme në rrugët rurale ka patur edhe në njësitë administrative Mmartanesh, Trebisht dhe Ostren.

Si pasojë e motit të keq përgjatë së shtunës, 23 turistë janë shpëtuar nga autoritetet e emergjencës pasi mbetën të bllokuar te “Banjat e Bënjës” në Përmet (zona me ujëra termalë).

Policia njoftoi se pavarësisht reshjeve të shumta të shiut, pas 2 orësh punë intensive, arritën të nxjerrin turistët nga automjetet e tyre në vendin ku kishin mbetur të bllokuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA