Një ngjarje e mundshme kriminale është parandaluar në Vaun e Dejës.

37-vjeçari M. (Z.) Gj., i dënuar edhe më parë qarkullonte i armatosur dhe dyshohet se do të kryente ngjarje kriminale. Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar automjetin e dyshuar dhe kanë ndërhyrë menjëherë për ta ndaluar. Ai ka tentuar të largohet, por është neutralizuar dhe është vënë në pranga.

Gjatë kontrollit në brendësi të automjetit tip “Audi”, poshtë sediljes së pasme të pasagjerit, policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri kallashnikov dhe 2 krehra me municion luftarak.

I arrestuari, është dënuar më parë në Shqipëri për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe për mashtrim, si dhe në Francë, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

“Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, se një shtetas që qarkullonte me automjet, me armë zjarri me vete, dyshohet se do të kryente ngjarje kriminale, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Kontigjenti””, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Top Channel