Konflikti për pronat në Kepin e Rodonit, lirohet Mark Frroku dhe shtatë të arrestuarit e tjerë

02/11/2023 13:27

Ish-deputeti Mark Frroku dhe shtatë personat e tjerë, të arrestuar pas konfliktit për pronat në Kepin e Rodonit, janë lënë të lirë nga Gjykata e Durrësit, e cila caktoi masën e sigurimit “detyrim paraqitjeje” për të gjithë të arrestuarit.

I sapoliruar, Mark Frroku dhe mbrojtja e tij deklaron se do e ankimojë këtë vendim.

Gjykata vleftësoi të ligjshëm arrestin në flagrancë dhe caktoi “detyrim paraqitje” për Mark Frrokun, punëtorët e firmës që po kryente rrethimin e tokës dhe 4 banorët e zonës, mes të cilëve dhe Bajram Kacculi.

Gjatë seancës, avokati i Provincës Franceskane Shqiptare, Sokol Dedndreaj dhe avokati I njërit prej punëtorëve të firmës kundërshtuan akuzën dhe kërkuan paligjshmërinë e arrestimit në flagrancë për Mark Frrokun dhe punëtorët dhe mos caktimin e asnjë mase sigurimi për ta.

Firma AML Group në të cilën është ortak Mark Frroku ndodhej të dielën në Kep të Rodonit dhe po kryente rrethimin e pronës si e kontraktuar nga Provinca Franceskane e cila ka një konflikt të hapur me banorë të zonës pasi të dyja palët pretendojnë pronësinë mbi tokën. Sipas avokatit Dedndreaj, Provinca Franceskane e ka në pronësi Kepin e Rodonit që nga shek. XIII. Sipas tij

akuza e ngritur për moskallëzim krimi dhe përkrahje të autorit të krimit nuk qëndron pasi Frroku dhe punëtorët nuk janë larguar dhe  kanë vënë në dispozicion të policisë dokumentacionin dhe kanë dhënë dëshmitë përkatëse në polici. Pavarësisht se IMT i kishte pezulluar veprimet në fillim të tetorit, firma e kontraktuar ka shkuar të dielën e kaluar për të kryer rrethimin e pronës bazuar në një leje të lëshuar në tetor të vitit 2022 nga Bashkia e Durrësit. Ndërkohë dhe avokati i banorëve, Skënder Jaka, deklaroi se “konflikti është acaruar, po nuk bëhet fjalë për vetëgjyqësi, pasi të arrestuarit kanë vepruar në mbrojtje të pronës së tyre, të fituar në bazë të ligjit 7501″, ndaj kërkoi lirimin dhe mos caktimin e asnjë mase shtrënguese për ta.

Konflikti për pronat në bregdet mes Provincës Françeskane dhe banorëve të zonës përfundoi të dielën e kaluar në përleshje fizike gjatë së cilës u qëllua dhe me armë zjarri. Ndërsa gëzhoja e gjetur në vendngjarje është dërguar për ekspertizë, prokurori i çështjes kërkoi veçimin e rastit të personit në kërkim Besnik Toma, i cili dyshohet se qëlloi me armë dhe u largua nga vendngjarja.

Top Channel