Incidenti i ndodhur të hënën në Kuvend, është regjistruar si çështje në Prokurorinë e Posaçme Anti Korrupsion, pas kallëzimit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste për deputetin Bledjon Nallbati.

Pas hedhjes së shortit, prokuror i çështjes u zgjodh prokurori Elvin Gokaj, i cili sikurse gazetarja Anila Hoxha raporton, ka urdhëruar menjëherë këqyrjen dhe sekuestrimin e pamjeve filmike në parlament, ku do të provohet dhe vërtetohet sulmi fizik mes deputetëve të mazhorancës dhe deputetëve demokratë.

Prokuroria do të kërkojë që t’i disponohen edhe raporte të mjekësisë ligjore, që do të provojnë se në çfarë shkalle janë shkallët e dëmtimeve nga ky sulm. Por ende nuk raportohet se kur do të thirren deputetët.

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste kallëzoi penalisht deputetin Bledjon Nallbati për dhunën fizike të ushtruar në seancën e fundit ndaj deputetit Vullnet Sinaj.

Duke përmendur goditjen e Sinajt, në kallëzimin që mban firmën e kryetarit të Grupit Parlamentar të PS-së, pretendohet se Nallbati ka konsumuar veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”.

I denoncuar për akuzën “goditje për shkak të detyrës “ të deputetit socialist Vullnet Sinaj, Nallbati duket se pritet  të përdorë si mburojë një kallëzim numër dy, firmosur prej Gazment Bardhit, ku kërkohen hetime për të njëjtën vepër por me të denoncuar Sinën. Kallëzimi numër dy, siç mëson TCH nuk ka mbërritur ende në SPAK, kurse i pari do të hetohet nga prokurori Elvin Gokaj.

Pasi të administrohen këto prova, dhe me mundësinë e hapur që të dyja kallëzimet të bashkohen në një procedim të vetëm, SPAK pritet më pas të pyesë të dy deputetët.

Veprimet hetimore do të vërtetojnë se cili deputet goditi dhe kush u godit dhe nëse mund të konsiderohet apo jo sulmi goditje për shkak të detyrës si parlamentar.

Incidenti ndodhi të hënën, pasi deputetët e opozitës penguan vijimin e rendit të ditës në Kuvend dhe krijuan tensione.

Top Channel