Rakip Suli

Kryebashkiaku i Kamzës Rakip Sulit, nuk u paraqit sot në orën 12:00 në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kur ishte caktuar seanca ndaj tij.

Për pasojë, seanca nuk u zhvillua dhe SPAK vendosi t’i dërgojë edhe një ftesë tjetër Sulit, ku i kërkon të paraqitet në 6 nëntor.

Por, i pyetur nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, përmes një telefonate, Suli tha se në ftesën e SPAK, ishte vendosur një orar tjetër:

“Nuk e shmanga kërkesën e SPAK-ut . Por ftesa më erdhi në 12.30, ndërkohë që më kërkonin për në 12”.

Në komunikimin me gazetaren, Suli u shpreh se do të paraqitet në SPAK, “sapo t’i vijë seanca tjetër”.

Për të shmangur vonesat, SPAK nuk e njoftoi kryebashkiakun e Kamzës nëpërmjet postës, por me polici. Gazetarja Hoxha raporton se nuk dihet se përse Policia e Kamzës e dorëzoi me vonesë kërkesën e SPAK-ut.
Nëse Suli dhe kryetarit i këshillit bashkiak të Kamzës, nuk do të paraqiten as në 6 nëntor, SPAK do të urdhërojë shoqërimin e tyre nga policia e Kamzës.

Rakip Suli do të pyetet për të dhënë versionin e tij mbi hetimet që po kryen për dëmshpërblimet e tërmetit.

SPAK po kryen hetime ndaj kryebashkiakut dhe zyrtarëve të bashkisë, “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike.

Top Channel