Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka kallëzuar penalisht deputetin Bledjon Nallbati për dhunën fizike të ushtruar në seancën e fundit ndaj deputetit Vullnet Sinaj.

Duke përmendur goditjen e Sinajt, në kallëzimin që mban firmën e kryetarit të Grupit Parlamentar të PS-së, pretendohet se Nallbati ka konsumuar veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”.

Një ditë më parë, deputeti socialist e cilësoi incidentin si të sajuar nga ish-kryeministri Sali Berisha. “Ishte një incident i sajuar nga Sali Berisha për t’i shpëtuar drejtësisë shqiptare”, u shpreh Sinaj.

Incidenti ndodhi të hënën, pasi deputetët e opozitës penguan vijimin e rendit të ditës në Kuvend dhe krijuan tensione. Nallbati u afrua drejt deputetëve socialistë dhe qëlloi Sinajn. Pas incidentit, demokrati u përjashtua nga seanca plenare.

Top Channel