“Në Kuadër të Dashurisë” në Mal të Zi/ Shqiptarët e Tuzit pritën me entuziazëm premierën e filmit

31/10/2023 13:02

“Në kuadër të Dashurisë” në Tuz të Malit të Zi erdhi me dy premiera brenda një nate, për shkak të interesit të shqiptarëve të kësaj treve për të ndjekur prodhimin e Top Channel Films.

Të moshuar, të rinj e të reja, emigrantë, të gjithë kishin ardhur për të pritur aktorët e tyre të preferuar.

“Nusja s’më ka gatuar darkë, do që të shohë Luizin. Vërtet speklakolare, diçka shumë e madhe, faleminderit aktorëve, stafit”, u shpreh me entuziazëm një qytetar.

“Jemi të privilegjuar kur një televizion si Top Channel dëshiron të bashkëpunojë me komunën e Tuzit. Kjo ngjarje është e mirë për aktorët dhe qytetarët e Tuzit”, tha Marina Ujkaj, Drejtoreshë e Vetëqeverisjes lokale në Komunën e Tuzit.

Edhe për aktoret, mikpritja e shqiptarëve në Mal të Zi dhe vizita në këtë qytet është një nga momentet e bukura të këtij rrugëtimi të suksesshëm.

“Ndihem si në shtëpinë time. Një pjesë e jetës sime është këtu, françeskanët më kanë mësuar, më kanë rritur”, rrëfeu aktori Luiz Ejlli.

“Jam shumë e lumtur që në një vend të tillë ka plot shqiptarë, që na njohin dhe na duan”, tha aktorja Olta Gixhari.

“Jam shumë i lumtur që jam pjesë e promovimit të filmit dhe po shoh nga afër të gjithë shqiptarët e Tuzit”, u shpreh aktori Salsano Rrapi.

Yjet e “Në kuadër të dashurisë”, Luiz Ejlli, Olta Gixhari, Besmir Bitraku, Salsano Rrapi, si dhe producenti i filmit Ols Abazi, ishin një surprizë për shqiptarët e Tuzit, të cilët kanë një lidhje të veçantë me Top Channel sepse për ta ndër vite, ka qenë dritarja e vetme e informimit.

Top Channel