Përmes avokatit të tij, ish-kryeministri Sali Berisha ankimoi verdiktin e gjyqtares antikorrupsion e cila ka shpallur ndaj tij megjithëse në mungesë, masën e detyrimit për tu paraqitur dhe ndalim për të dalë jashtë vendit.

Si një i dyshuar për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë kryer në bashkëpunim me dhëndrin, ish-kryeministri kundërshton jo vetëm masën e 21 tetorit, por edhe atë të 26-ës, njëra e shpallur vetëm me dijeninë e SPAK dhe të gjyqtares dhe tjetra me avokaten falas nga shteti Valentina Teodoresku.

Ne e kemi dorëzuar dhe kemi thënë shkakun përse ky ankim është i paplotësuar për pjesën e verifikimit të masës. Të dyja vendimet janë pasojë e mos konsiderimit të provave dhe rrethanave ashtu siç ligji e kërkon. Të dyja vendimet janë nul“- u shpreh Genc Gjokutaj.

Ky ankimim vjen shtatë ditë pasi Sali Berisha sipas vendimit të gjykatës duhet të paraqitet në datën 6 nëntor para një oficeri të policisë gjyqësore.

Pavarësisht se nuk bëhet publike, një nga argumentet e mbrojtjes pritet të jetë mos marrja dijeni, për një vendim i cili publikisht u refuzua nga ish-kryeministri duke e cilësuar si antikushtetues. Berisha këmbëngul se nuk do të paraqitet.

Por derisa të shkojë data 6 nëntor, gjatë këtyre orëve pritet që avokatët të kryejnë lëvizjet e tyre surprizë. Pas datave 6 dhe 20 nëntor e sigurt është që topi kalon në fushën e SPAK.

Kur ka nisur  numërimi o orës mbrapsht, për avokatin kanë rëndësi ditët

Mos harroni sot është 30 tetor“- u shpreh Gjokutaj.

Që sigurisht e thënë nga një mbrojtës, kjo datë nuk ka lidhje me historinë, por me afatet.

Top Channel