Përplasje fizike dhe përdorim armësh te Kepi i Rodonit në Durrës.
Burime vendore për Top Channel bëjnë me dije se disa banorë të fshatit Shetaj, konkretisht shtetasit B. K., E. R., Y. R. dhe O. R. janë konfliktuar me sende të forta me rojet e parkut, përfaqësues të kishës katolike.
Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se konflikti ka nisur gjatë kohës kur përfaqësuesit e kishës katolike, shtetasit N. S., M. F., M. L. dhe P. D., po bënin rrethimin e pronës për të cilën kanë certifikatë pronësie. Parku i Kepit të Rodonit ndodhet nën kontrollin e Kishës Katolike, e cila ka vendosur traun dhe merret me administrimin e zonës.
Banorët e zonës nuk i kanë lejuar që të bëjnë këtë rrethim pasi edhe ata kanë një certifikatë pronësie, të cilët pretendojnë se e kanë po për këtë pronë. Konflikti midis këtyre shtetasve ka agravuar me përdorimin e sendeve të forta, pas konfliktit me grushte. Në vendngjarje është gjetur dhe 1 gëzhojë arme zjarri.
Administratorja e kishës pretendon se me armë kanë qëlluar persona që flasin në emër të kishës katolike, pasi duan të përfitojnë pronësinë përmes certifikatës false.
Si pasojë e konfliktit me sende të forta kanë pësuar dëmtime të lehta disa nga shtetasit e përfshirë në konflikt, të cilët kanë marrë ndihmë mjekësore. Më pas, të gjithë personat e sipërpërmendur janë shoqëruar në Polici me qëllim sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Pak javë më parë, situata konfliktuale për shkak të çështjes së pronave në Kep të Rodonit u trajtua nga emisioni investigativ “Fiks Fare”.
Një qytetar u ankua se po i rrethohej prona, megjithëse ai kishte një certifikatë pronësie. Rrethimi po i bëhej nga disa individë, të cilët iu hoqën si përfaqësues të Kishës Françeskane. Por, ata vepronin me një leje të një firme tjetër dhe për më tepër të pezulluar. Asnjë prej institucioneve nuk ndërhyri, deri ditën kur shkoi Fiks Fare dhe konstatoi se për të njëjtën pronë kishte dy pronarë. Madje, me dy certifikata pronësie për të njëjtën sipërfaqe.
Por, skandali u thellua më tej kur përfaqësuesja e një firme që menaxhonte atë zonë deklaroi për emisionin investigativ se edhe rruga shtetërore që të çon te Kalaja apo Kisha e Kepit të Rodonit është bërë private. Madje, edhe përrenjtë dhe gjithçka tjetër që ndodhet në një nga zonat më të bukura të Shqipërisë.
Për redaksinë e emisionit Fiks Fare, Bajram Koculi, nga fshati Shetaj, tha publikisht se pronën familjare në afërsi të hyrjes për në Kepin e Rodonit e ka përfituar përmes ligjit 7501. Ai pretendoi se është pajisur normalisht me certifikatë pronësie, dhe e ka rifreskuar atë. Por, disa persona kanë shkuar në atë zonë dhe kanë tentuar që ta rrethojnë. Sipas tij, personat i janë prezantuar sikur janë të Kishës Françeskane, por që në fakt janë individë të ndryshëm që s’kanë asnjë leje.
“Kam shkuar në të gjitha institucionet, asnjë nuk vepron. Unë kam një certifikatë pronësie. Nëse do të ishte e Kishës, do t’ia falja. Por e kam me certifikatë. Dikur ata që menaxhonin këtë zonë nuk e rrethuan pasi ishte prona ime. Erdhën këta të tjerët dhe kanë çuar tuba e rrjeta. Nuk e di çfarë po bëjnë. Asnjë s’më ndihmon, prandaj kam kërkuar ndihmën e emisionit Fiks Fare”, pohoi denoncuesi.
“Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për sqarimin dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit të sotëm”, ndërsa Policia e Shtetit sqaron opinionin publik se sa u përket “pretendimeve të palëve për certifikatën e pronësisë, nga ana e Policisë janë referuar disa herë materialet në Prokurori, për konfliktet që ka patur herë pas here, mes palëve”.
Top Channel