Festival poezie në Durrës/ Aktorë të njohur interpretojnë veprat e 30 poetëve

29/10/2023 12:36

Festivali i poezisë durrsake ngjiti në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” krijimtarinë e 30 poetëve të interpretuar nga emra të njohur të skenës dhe ekranit.

Ky festival vjen pas ndërprerjes disavjeçare si një aktivitet shumë planësh i organizuar nga Klubi i shkrimtarëve dhe Artistëve të qytetit me mbështetjen e bashkisë.

“Sivjet e rikthyem këtë veprimtari me një shtrirje më të gjerë, pan shqiptare. Ftuam poetë dhe krijues nga të gjitha trevat shqipfolëse dhe mes 50 poetëve përzgjodhëm 30 prej tyre”, tha Megan Hoxha, Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve Durrës.

I konceptuar si një spektakël nga regjisori i mirënjohur durrsak Haxhi Rama, festivali ndërthuri vargun poetik me interpretimin profesional të aktorëve dhe këngëtarëve të njohur të skenës durrsake, si dhe rolin e jurisë si element kyç i festivalit.

“Pavarësisht ndonjë problemi të vogël, më duket se është një formë origjinale shumë e mirë. Se si e kanë përcjellë njerëzit nuk jam në gjendje të them, por po marrim shumë përgëzime. Ngelet një formula shumë e mirë që mund të ruhet vazhdimisht në të ardhmen”, tha regjisori Haxhi Rama.

Pjesë e festivalit ishte dhe ekspozita e çelur me punime të nxënësve të shkollës artistike “Jan Kukuzeli” të Durrësit. Materiale të ndryshme të përditshmërisë të shndërruar në art krijuan një hapësirë plot ngjyra dhe elemente të traditës sonë popullore në hollin e teatrit, duke tërhequr vëmendjen e publikut të shumtë që ndoqi festivalin, i cili u mbyll me ndarjen e 3 çmimeve të para për poezitë më të mira, si dhe nderimin me “çmim karriere” për disa prej poetëve të njohur të qytetit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA