Nis seanca për Berishën/ Në GJKKO mbërrin avokatja falas nga shteti, Rabie Cenalia! Zëvendësoi Artan Simonin

26/10/2023 10:21

Nis seanca në GJKKO për marrjen në pyetje dhe verifikimin e masës së ish-kryeministrit Sali Berisha.

Në sallën e gjyqit ka mbërritur avokatja kryesisht falas nga shteti, Rabie Cenalia.

Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata zëvendësoi mbrëmjen e djeshme Artan Simonin me një tjetër avokat nga lista e avokatëve kryesisht falas nga shteti, Rabie Cenalia, dhe për t’i lënë kohë kësaj të fundit që të njihej me aktet, e shtyu seancën për ditën e sotme në orën 10:00.

Çfarë ndodhi me gjyqin ndaj Sali Berishës në GJKKO ditën e djeshme?

Pak minuta para fillimit të seancës, e paracaktuar të niste në orën 14:30, në hollin e gjykatës është parë duke pritur një nga avokatët e shtetit, Artan Simoni. Avokati Simoni ishte aty në rast se avokatët e mbrojtjes së ish-kryeministrit nuk do të paraqiteshin në seancë, GJKKO do të vlerësonte sërish mundësinë për të mbajtur një proces gjyqësor me dyer të mbyllura me një avokat falas.

Sikurse ditën e martë, edhe dje ish-kryeministri Berisha deklaroi në konferencën për shtyp se nuk do të ishte prezent, por do të përfaqësohej nga dy avokatët mbrojtës Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi. Këtë e konfirmuan edhe vetë avokatët e çështjes për Top Channel.

Para orës 14:30, gjykata konfirmoi për Anila Hoxhën se kishte përsëritur njoftimin për Berishën, por pa e bërë të mundur njoftimin. Në orën 14:30, kur ishte lajmëruar edhe seanca në GJKKO, janë paraqitur dy avokatët e mbrojtjes Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi. Dhe seanca gjyqësore ka nisur normalisht për shqyrtimin e kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, me objekt marrjen në pyetje të shtetasit nën hetim Sali Berisha.

Në orën 14:55, avokati kryesisht falas nga shteti Artan Simoni, largohet nga mjediset e GJKKO-së.

Në orën 16:00, dy avokatët e mbrojtjes Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi largohen nga seanca. Nga ana e tyre, u bë me dije se kanë paraqitur kërkesë për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga gjykimi i çështjes dhe në këto kushte u larguan nga salla e gjykimit, duke deklaruar se nuk mund të realizojnë një mbrojtje efektive.

Në orën 16:11, me largimin e dy avokatëve të mbrojtjes, Gjokutaj dhe Mëngjesi, sipas burimeve të gazetares së TCH, Anila Hoxha, GJKKO thërret sërish avokatin kryesisht falas të shtetit Artan Simoni, i cili ishte larguar.

Deri në ardhjen e avokatit Simoni, gjykata ndërpreu për disa minuta shqyrtimin gjyqësor në pritje të mbërritjes së avokatit Artan Simoni, për vijimin e seancës gjyqësore.

Ora 16:36, vjen avokati Simoni dhe prokurorët e SPAK, hyjnë në sallë.

Ora 16:42, seanca shtyhet edhe për dy orë të tjera koha që kërkoi avokati Artan Simoni, për t’u njohur paraprakisht me aktet.

Ora 19:28, shtyhet seanca. Gjykata zëvendëson Simonin me një tjetër avokat nga lista e avokatëve kryesisht falas nga shteti, Rabie Cenalia, dhe i lë kohë kësaj të fundit që të njihet me aktet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA