Koncertet e tetorit gjerman/ Koncerti me pjesë klasike të autorëve gjermanë

26/10/2023 15:57

Një vend ku tingulli e figura të shkrihen me njëra-tjetrën e ku nga notat muzikore çelin lule: një muzikë që prek drejtpërdrejt duke ngacmuar ndjesitë sa përmes stimujve muzikorë, aq edhe përmes tablove te rrjedhshme vizuale.

Ishte pikërisht kjo ideja e një ri interpretimi të veprave klasike të sjellë nga të dy artistë të afirmuar tashmë, pianisti Marin Gjollma e flautisti Elvis Rudi përmes një rrugëtimi muzikor, të gërshetuar me imazhet e animuara, të projektuara gjatë koncertit të tyre, si pjesë e eventeve të të mirënjohurit “Tetori Gjerman”.

Bashkëpunimi i parë i duos me artistin vizual Kleidi Eski, rezultoi një sukses. Eski e ka marrë frymëzimin për krijimet e tij nga vizioni muzikor e poetik i pjesëve, duke krijuar një lidhje harmonike mes dy veprave të artit.

Programi përfshiu vepra të Georg Friedrich Handel, Robert Schuman, Sigfrid Karg Elert, Maurice Ravel dhe Albert Franz Doppler. Ajo që koncerti me titull “Kontrapunkti, energjia e tingullit”, premtoi dhe realizoi ishte praktikisht një zhytje në përjetimin e muzikës e grafikës bashkë.

Aktivitetet e përvitshme kulturore gjermano-shqiptare nën moton “Tetori Gjerman” zhvillohen në Shqipëri që nga viti 2007, e në këto 15 vite, janë kthyer në një event të mjaft vlerësuar në jetën kulturore të Shqipërisë.

 

Top Channel