Shiste kanabis në afërsi të shkollave, arrestohet 25 vjeçari në Vlorë

25/10/2023 10:44

Evidentohet dhe goditet një rast i shitjes së lëndëve narkotike, në afërsi të shkollave në Vlorë.

Nga të dhënat paraprake, bëhet me dije se Specialistët e DVP Vlorë, pasi kanë siguruar informacion se një shtetas shiste lëndë narkotike në afërsi të universitetit, në lagjen “Pavarësia”, kanë organizuar punën për kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.

Si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasi E. K., 25 vjeç, banues në Vlorë.

Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë i kanë gjetur 25-vjeçarit, një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, të ndarë në 50 doza, gati për shitje. Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas, pasi siguronte lëndë narkotike kanabis, e ndante në doza, të cilat i shiste në afërsi të shkollave të qytetit, kryesisht pranë universitetit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel