Shkarkimi nga detyra i ministrit kinez të mbrojtjes, zyrtari i dytë i lartë që largohet brenda tre muajsh, ka nxitur spekulimet mbi qëndrueshmërinë e kabinetit të Presidentit Xi Jinping.
Gjenerali Li Shangfu kishte dy muaj që nuk shfaqej më në publik. Mediat shtetërore njoftuan se dhe Qin Gang, i cili u shkarkua nga posti i Ministrit të Jashtëm në korrik, u largua edhe nga detyra e këshilltarit. Televizioni shtetëror kinez CCTV pohoi se heqjen e dy zyrtarëve e kishin aprovuar ligjvënësit më të lartë të Kongresit Kombëtar Popullor, por nuk dhanë asnjë detaj tjetër.
Ndërkohë, askush nuk është emëruar ende në vendin e mbetur vakant pas largimit të gjeneralit Li, çka nënkupton se Kina është pa një ministër mbrojtjeje e kjo, pikërisht në kohën kur përgatitet të presë zyrtarët e huaj të mbrojtjes në dialogun për siguri rajonale, që do të mbahet në Pekin, mes datave 29-31 tetor.
Për herë të fundit, Li është parë në publik në 29 gusht, ndërsa Reuters pohoi pak kohë më parë se ai ishte nën hetime për korrupsion. Gjenerali i emëruar në mars, e mbajti postin për vetëm disa muaj. Li, i cili është vënë nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara për shkak të blerjeve të avionëve luftarakë rusë dhe sistemeve raketore të avancuara, është ministri më jetëshkurtër i mbrojtjes në Kinë.
Top Channel