Javën e ardhshme, linja më e madhe ajrore në Europë, Ryanair do të nisë fluturimet nga aeroporti i Tiranës.

Qytetarët do të kenë mundësi të prenotojnë mbi 50 mijë vende të ofruara nga Ryanair, në 17 destinacione europiane, duke filluar nga 15 euro.

CEO i kompanisë, Micahel O’leary ndërsa zbriti në aeroportin e Tiranës bashkë me ekipin e tij vendosi të veshë bluzën e kombëtares dhe të marrë flamurin shqiptar në dorë. Ai është i bindur se kompania që drejton do t’i tregojë shqiptarëve se çfarë do të thotë realisht, çmime të ulëta për udhëtimet e tyre.

“Ne do të nisim 17 destinacione të reja për në/nga Tirana, ku tashmë më shumë se 70% e vendeve te ofruara janë shitur për muajin e parë të operimeve. Oferta e lartë për sezonin dimëror të Ryanair në Tiranë me 17 destinacione, dhe mbi 200 frekuenca javore tregojnë kërkesën e jashtëzakonshme që ekziston për udhëtime me çmime vërtet të ulëta për ardhjen e turisteve në Shqipëri si dhe për qytetarët shqiptarë gjithashtu. Nga e marta e ardhshme do të përfundojë epoka e çmimeve të larta”, tha Michael O’leary.

Kompania kërkon që brenda pesë viteve të jetë linja numër një ajrore në tregun shqiptar dhe të hapë bazën e saj në Rinas. Për CEO e RyanAir potenciali i Shqipërisë është ende i pazhvilluar.

“Duam të krijojmë bazën tonë dhe të hapim 5 mijë vende të reja pune. Negociatat kanë qenë të vështira por ne nuk duam të ndalemi më tani. Një kryeqytet europian me 1.5 milionë banorë mund të presë deri në 30 milionë turistë për këtë jam i sigurt”, tha O’leary.

Fillimin e fluturimeve të kësaj linje ajrore e përshëndeti edhe ministri i financave.

“Ardhja e një kompanie si RyanAir, një emër me kaq eksperiencë në industrinë evropiane të aviacionit, pritet të sjellë më shumë diversifikim, mundësi dhe sigurisht në rastin konkret edhe më shumë destinacione të reja për fluturime direkte me Tiranën, siç janë Bukureshti dhe Praga”, tha Ervin Mete.

Destinacionet me frekuenca më të shpeshta do të jenë Londra dhe Milano, por nuk do të mungojnë as qytetet si Brukseli, Düsseldorfi, Roma dhe Parisi.

FOTO GALERI
7/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA