“SHBA vlerëson partneritetin dhe kontributin e Shqipërisë për sigurinë”/ Nikolla takim me Asistent Sekretaren Amerikane të Shtetit

23/10/2023 21:24

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla u prit sot në Departamentin e Shtetit nga Asistent Sekretarja për Organizatat Ndërkombëtare, Michele J. Sison.

Nikolla nënvizoi se partneriteti strategjik me SHBA është një gur themeli i politikës së jashtme të Shqipërisë. Ky partneritet është konkretizuar në bashkëpunimin për çështje të ndryshme të zhvillimeve ndërkombëtare, në KS të OKB-së, si bashkëpenëmbajtëse për mbështetjen e Ukrainës, mbështetjen e Izraelit, luftën kundër terrorizmit, sigurinë kibernetike, refugjatët iranianë dhe afganë, mbështetjen e integrimit në Ballkanin Perëndimor dhe lidershipin e Procesit të Berlinit.

Nikolla shprehu mirënjohjen ndaj SHBA për avancimin e reformave demokratizuese dhe integruese në Shqipëri, luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe kulturës së pandëshkueshmërisë dhe mbështetjen e Kuvendit për thellimin e tyre.

Po ashtu, kryeparlamentarja vuri në dukje se Shqipëria është në një linjë me SHBA dhe BE për depërshkallëzimin e situatës në Veri të Kosovës, dialogun Kosovë-Serbi  dhe normalizimin e marrëdhënive mes tyre si kusht për paqen dhe sigurinë në rajon.

Asistent Sekretarja e Shtetit, Michele J. Sison nënvizoi se partneriteti SHBA-Shqipëri i shërben paqes dhe popujve. “SHBA admirojnë lidershipin e fortë të Shqipërisë në KS dhe bashkëpunojmë për mbrojtjen e paqes.Në Këshillin e të Drejtave të Njeriut punojmë bashkarisht për të drejtat e njeriut në mbarë botën. Në UNESCO jemi të angazhuar për mbrojtjen e thesareve kulturore të njerëzimit. SHBA vlerëson qëndrimet parimore të Shqipërisë, si një partner i jashtëzakonshëm për zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe sigurinë në botë. Zgjedhja e Shqipërisë në 10 tetor si anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut ishte një sukses i jashtëzakonshëm për dy vendet tona, sepse agjenda e të drejtave të njeriut po ndërlikohet në mjaft vende e rajone të botës.”

FOTO GALERI
3/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA