Premiera e “Në kuadër të dashurisë” rikthehet në QTU më 25 Tetor, Luiz Ejlli fton të gjithë qytetarët në një takim me të

23/10/2023 12:25

Suksesi i filmit “Në kuadër të dashurisë” nuk ndalet! Data 9 Tetor shënoi një ditë të rëndësishme për të gjithë, aktorët, stafin, por dhe të gjithë publikun që e kishte pritur me padurim.

Premiera e madhe e datës 9, mblodhi në Pallatin e Kongreseve mijëra njerëz, për të ndarë së bashku një arritje të jashtëzakonshme dhe një hap gjigant për kinematografinë dhe mbi të gjitha Top Channel Films. Filmi me protagonist kryesor, Luiz Ejllin dhe Olta Gixharin u prit mes emocioneve të shumta, ku një numër i madh njerëzish iu bashkuan pritjes në tapetin e kuq, aty ku yjet e kësaj premiere parakaluan njëri pas tjetrit, ndërsa bënë edhe fotografi me fansat e tyre.

“Në kuadër të dashurisë”, filmi i prodhuar nga Top Media ka udhëtuar në Korçë, Shkodër, Prishtinë, dhe Gjakovë, aty ku ndjekësit pritën me brohorima kastin e aktorëve të cilët ishin aty për të takuar fansat e tyre nga afër dhe për të bërë fotografi me ta apo për të dhënë autografe.

Filmi vazhdon të shfaqet ende në kinematë Cineplexx dhe Millenium në Tiranë dhe ka një radhë të madhe njerëzish që duan ta shohin. Projekti i suksesshëm me kastin e aktorëve profesionistë, personazheve publike më në zë të momentit dhe një staf i madh që punuan së bashku arritën që të përcjellin tek publiku emocione, humor dhe energji pozitive.

E tashmë, “Në kuadër të dashurisë” rikthehet sërish në Tiranë me një tjetër premierë. Data 25 Tetor, ora 19:30 i rezervohet kinemasë Cineplexx në QTU. Aty protagonisti i filmit, Luiz Ejlli, do të takojë nga afër fansat e tij, të gjithë ata që nuk mundën të ishin të pranishëm në Pallatin e Kongreseve apo në Cineplexx TEG.

Nga ana tjetër, rikujtojmë se filmi do të shfaqet edhe në vende të tjera nëpër botë, aty ku ka shqiptarë. Më 26 Tetor premiera do të vijë në Maqedoninë e Veriut, më 27, 28 dhe 29 Tetor në Vlorë. Më 30 Tetor filmi do të shkojë në Tuz dhe 2 Nëntor në Podgoricë. Nëntori po ashtu rezervon shumë data shfaqjesh si në Europë ashtu dhe në botë, në Zvicër, Angli, Gjermani, Itali, Suedi, SHBA dhe Kanada…

Top Channel