“Albania Dance Meeting”/ Edicioni i 18-të i Festivalit zhvillohet në Gjirokastër

23/10/2023 12:36

Edicioni i 18-të i Festivalit “Takimi i kërcimit shqiptar” është ngjitur edhe në skenën artistike të Gjirokastrës.

“Tirana me ritëm”  një spektakli koreografik modern kishte për autor artistin italian Xhulio de Leo.

Trupa solli një performancë koreografike që përcillte mesazhe artistike me motive bashkëkohore. Artisti e ka gjetur frymëzimi prej teknikës artizanale kinsughi që njëkohësisht mbështet edhe filozofinë se si qenie humane ne pësojmë thyerje të përditshme, fraktura dhe dëmtime që më pas korrigjohen duke derdhur ar të shkrirë mbi to. Një proces që në vend të fshehjes së thyerjeve i bën këtë thyerje të çmuara e i kthen ato në përvoja. Artisti përdori gjithashtu elementë të valleve tradicionale shqiptare.

“Kjo shfaqje që quhet ” Tirana me ritëm” ka patur një tur nëpër Shqipëri duke filluar nga  Tirana, në Korçë dhe sot jemi në Gjirokastër , më duhet të them që mbështetja që kemi patur këtu në Gjirokastër e them personalisht ka qenë më e veçanta nga të gjitha sepse kemi gjetur shumë njerëz dashamirës që e kuptojnë artin tonë”, u shpreh këngëtarja Sereneta Skëndi.

“Vetë baza e kësaj shfaqje është vallja popullore shqiptare, vallja e Kukësit e sjell në një mënyrë paksa më moderne, të gjithë dimë ta kërcejmë dhe mendoj që të gjithë e gjejnë veten në këtë temë”, tha ajo.

“Jam shumë i kënaqur që të jem këtu në Gjirokastër sepse Gjirokastra është një qytet i rëndësishëm kulturor, pasuri e UNESCO dhe këtë mbrëmje patëm një publik të mrekullueshëm, të ngrohtë dhe të kujdesshëm, i aftë për të përjetuar atë që ishte shpirti i shfaqjes. Uroj që të rikthehem sërish për të sjellë një tjetër shfaqje dhe pse jo duke bashkëpunuar me institucionet lokale për një bashkëpunim të ri ose shkëmbime kulturore mes dy vendeve tona”, u shpreh koreografi Xhulio de Leo.

Festivali “Albania Dance Meeting” u realizua në Javën Botërore të Kulturës Italiane si pjesë e një sërë aktivitetesh kulturore që artistët nga Italia kanë organizuar në qytetin e Gjirokastrës.

“Këto janë aktivitete në vazhdën e disa aktiviteteve që janë organizuar në Gjirokastër falë bashkëpunimit midis institucioneve diplomatike konsullore dhe atyre kulturore dhe bashkisë së Gjirokastrës në funksion të rijetëzimit ose të bashkëpunimit kulturor që kemi prej vitesh”, u shpreh konsulenti i nderit të Italisë në Gjirokastër Teodor Bilushi.

Fundjava ishte e mbushur me aktivitete  kulturore çka i ka dhënë tani qytetit një profil të qartë të turizmit të kulturës, historisë e artit.

Top Channel