Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar pas takimit me pesë diplomatët perëndimorë se për vendin e tij çështja më urgjente është siguria e shtetit të qytetarëve.

Paraprakisht të shtunën pas takimit në Prishtinë, Miroslav Lajçak, i cili i priu pesësh diplomatike, tha se deeskalimi i gjendjes dhe normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë janë më urgjente së kurrë më parë.

Duke folur pas një takimi të pesë diplomatëve të Perëndimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Prishtinë, Lajçak tha se “çfarëdo kushti, apo çfarëdo vonese për normalizimin e marrëdhënieve është e papranueshme”.

“Ne presim nga Kosova dhe Serbia që t’i plotësojnë tërësisht detyrimet e tyre brenda dialogut. Ngjarjet e 24 shtatorit nuk e ndryshojnë faktin se Kosova dhe Serbia bënë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në fillim të këtij viti”, tha Lajcak duke iu referuar sulmit kundër Policisë së Kosovës nga një grup serbësh të armatosur në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Ai theksoi se Kurti, si kryeministër i Kosovës, “ka përgjegjësi të bëjë përparim në normalizimin e marrëdhënieve, nëse Kosova dëshiron të bëjë përparim drejt Bashkimit Evropian”.

“Këtu, ne duhet ta nënvizojmë nevojën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë pa asnjë vonesë tjetër. Pa këtë, nuk do të ketë përparim në rrugën evropiane të Kosovës” paralajmëroi Lajçak.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA