Baza anti-atomike e Titos një labirint tunelesh kilometrikë që zbulon sekretet e Luftës së Ftohtë

21/10/2023 15:41

E vendosur në mes të Kroacisë dhe Bosnjës, ish-baza e Zeljavës shtrihet përmes tuneleve kilometikrë, të anashkaluara nga 5 pista ajrore. E krijuar për t’i rezistuar gjithçkaje, ajo u shkatërrua dhe u braktis. Një film dokumentar që flet për marrëdhëniet e fshehta mes Titos dhe SHBA-së e riktheu atë në qendër të vëmendjes.

E projektuar për të përballuar çdo gjë, duke përfshirë sulmin bërthamor, baza ushtarake nëntokësore në Zeljava, sot në kufirin ndërmjet Kroacisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, në fakt e pati jetëgjatësinë deri në fund të Jugosllavisë. Sot, disa dekada më vonë, korridoret e saja të djegura, aeroplanët e rrënuar në aeroportin që ishte një nga më të mëdhenjtë e bazave ushtarake në Evropë, janë një destinacion i privilegjuar për turistët e informuar, me një normë mesatare prej 150 mijë vizitorëve në vit.

Në kulmin e lavdisë së saj, baza dhe tunelet e saj kilometrikë strehonin dhjetëra MiG-21 të prodhimit sovjetik, të vetëmjaftueshëm me ujë dhe energji elektrike, të gjitha nën mbrojtjen e 4 dyerve të mëdha betoni, me peshë 100 tonë secila. Jashtë, 5 pista ngritjeje dhe uljeje që ndërthurin kufirin mes dy shteteve, tashmë të pavarura, por në atë kohë pjesë e konfederatës.

Teknologjia më e mirë ushtarake dhe civile e kohës
“Gjithçka ishte për atë kohë, tendenca e fundit. Ishte kombinimi i teknologjive më të mira ushtarake dhe civile të kohës”, thotë për agjencinë e lajmeve France Presse, Mirsad Fazlic, një ish-pilot, i cili ka punuar në bazë për një dekadë, që nga viti 1980. Gjatë luftërave të viteve 1990 gjithçka u shkatërrua.
“Aty u dogj gjithçka,- thotë ish-aviatori- vetëm tunelet dhe muret rezistuan”.
Në vitet që pasuan gjithçka mbeti aty, e braktisur deri në rrënim dhe e vizituar herë pas here nga turistë që kërkonin relikte të ish-Jugosllavisë.

Dokumentari mbi “programin sekret hapësinor” SHBA-Beograd
Një film shumë të veçantë, “Houston, kemi një problem”, vepër e regjisorit slloven Ziga Virc, një prodhim që ndërthur filmin dokumentar dhe fantazinë politike, tregon mitin, sipas të cilit amerikanët financuan fshehurazi federatën e Marshall Titos në këmbim të transferimit të programit hapësinor jugosllav. Kjo është provuar në ditët e sotme me anë të deklasifikimit të të dhënave të satelitëve spiunë të CIA’s, të cilët kanë monitoruar ndërtimin e këtij objekti për vite.
Filmi i Ziga Virc që i zhvillon ngjarjet pikërisht në ish-bazën e Zeljavës filloi të tërheqë një numër të madh vizitorësh brenda mureve të ndryshkura të kësaj baze, të cilët kishin kuriozitet për ta parë atë nga afër.

Muze apo jo muze, kjo është dilema
“Është një mrekulli inxhinierike dhe është e pabesueshme që e gjithë kjo të mbetet e ngrirë në kohë,” thotë Angelo Virag , një fotograf nga Zagrebi. Ai nga ana e tij mrekullohet me atë “infrastrukturë brutale, autentike, të paprekur pas 30 vjetësh”.
Hamdija Mesic, i cili jeton në Bihac në Bosnje, disa kilometra larg bazës, thotë se e pëlqen këtë vend “të braktisur në humoret e kohës dhe që nuk ka të ngjashëm askund”, dhe si një dashnor i aviacionit, ai shpreson që gjithçka t’u kthehet pilotëve madje edhe avionët.
Ai shpreson se të paktën dy pistat nga 5 që kishte baza, mund të restaurohen dhe të shndërrohen në një aeroport për pilotët amatorë.


Baza ajrore anti-atomike e Titos u ndërtua në periudhën 1954-1968. Ajo u ndërtua në fshehtësitë plotë dhe gjithçka që ndodhte aty ishte sekret.
Në fillim të shpërthimit të luftës në Bosnje dhe Herzegovinë, baza ajrore Zeljava ishte në një situatë të vështirë. Udhëheqësi i lartë ushtarak i Ushtrisë Popullore Jugosllave mori një vendim për zhvendosjen e avionëve, pajisjeve, njësive dhe civilëve të prekur nga kërcënimet e luftës në Serbi.
Gjithçka që ishte lënë në bazë u minua dhe u dëmtua me më shumë se 50 ton eksploziv më 16 maj 1992.
Një strukturë për vizitorët ishte planifikuar të hapej në vitet 2004-2005, por ideja u braktis.
Sot, në periudhën e pasluftës, ky vend i njohur si “vrima” midis banorëve të dikurshëm dhe atyre të tanishëm të këtij rajoni gradualisht zbulon sekretet e saj për studiuesit kuriozë.

Burimi: La Repubblica

FOTO GALERI
1/18

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA