Qeveria, 450 milionë euro suficit/ Paratë rishpërndahen, pjesa më e madhe shkon për Rindërtimin

18/10/2023 11:58

Përmes një akti normativ, qeveria ka miratuar rishpërndarjen e fondeve buxhetore në sektorë të ndryshëm.

Kështu janë 18 miliardë lekë të vendosura si rezervë për sektorin energjetik të papërdorura dhe rreth 28 miliardë lekë të mbajtura si suficit në buxhet. Ky suficit është rritur edhe nga performanca pozitive përtej planit të të ardhurave, ndërsa pritet që të realizohen 7.5 miliardë lekë më shumë deri në fund të vitit.

Me rialokimin e fondeve pjesa më e madhe, gati 12 miliardë lekë ka shkuar për procesin e rindërtimit. Ndërkohë 1.8 miliardë lekë do shpërndahet për skemën e naftës dhe të mbështetjes së fermerëve, si dhe do të ketë një shtesë për fondin e ish-të përndjekurve politikë për të përshpejtuar pagesat ndaj tyre. Fondet e tjera shkojnë për projektet në infrastrukturore rrugore dhe tek ujësjellës kanalizimet për të mbështetur reformën e re të nisur në këtë sektor.

Në tërësi akti normativ synon që të përshpejtojë projektet dhe investimet e qeverisë, duke kontribuar kështu edhe më tej në rritjen ekonomike. Ky është akti i parë normativ me të cilin qeveria ndryshon buxhetin për këtë vit, ndërsa vitin e kaluar ishin katër të tilla. Kritikat nga institucionet ndërkombëtare nuk kanë munguar për mosrealizimin në kohë të investimeve dhe ndryshimeve të shpeshta buxhetore nëpërmjet akteve normative.

Por pyetjes se përse investimet përqendrohen në fund të vitit, ministri i Financave iu përgjigj se janë një sërë faktorësh që ndikojnë.

Gazetari i Top Channel, Geri Kolgega: Është bërë shpesh si kritikë nga institucionet ndërkombëtare që investimet përqendrohen në pjesën e fundit e fundit të vitit dhe këtë vit ne kemi patur një suficit rekord në buxhetin e shtetit. A mund ta dimë pse ka ndodhur kjo dhe pse është pritur deri në këtë moment për të ndërmarrë këtë akt për rishpërndarjen e fondeve dhe kryerjen e këtyre investimeve?

Ministri i Financave, Ervin Mete: Suficiti që ju përmendni kanë ndodhur për një sërë arsyesh, edhe për shkak të performancës të mirë të të ardhurave. Edhe për shkak të një përvoje për të përshpejtuar investimet, ç’ka adresohet me aktin, por edhe nevojës për të përshpejtuar disa projekte që janë me investime të huaja. Sepse ka një sërë projektesh që janë me financime të huaja, që ndjekin procedurat e kredive apo të granteve që ne marrim nga institucionet financiare ndërkombëtare apo nga donatorët, të cilët kanë procedurat e tyre. Edhe në takimin me përfaqësuesit e Bankës Botërore, u ngrit çështja që investimet e huaja duhet të përshpejtohen. Ka një ndjeshmëri edhe nga ana e institucioneve financiare, edhe donatorëve.

Top Channel