Kërcënimi i presidentit të Francës, Emmanuel Macron se çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën mbetet e hapur nxiti reagim në Prishtinë.
Kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla përmes rrjeteve sociale tha “Et Voila” ose “Ja pra” me flamurin francez.
Nënkryetarja e partisë më të madhe opozitare në Kosovë, PDK-së, Vlora Çitaku e cilësoi si në rënie të lire dhe pa krye diplomacinë e Kosovës.
“Më i dëmshëm është konstatimi i presidentit Macron për lidershipin e Kosovës si njerëz të pabesë që nuk e mbajnë fjalën, sesa deklarata për viza. Ndërkohë reagimi i Ministres së Jashtme skandaloz. Diplomaci pa krye. Në rënie të lirë”, tha Çitaku.
Ndërkohë, njohësit e çështjeve ndërkombëtare thonë se mundësia që Franca të pezullojë liberalizimin e vizave për Kosovën në këtë kohë janë zero.
“Sipas rregullativës së Bashkimit Evropian mund të vie vetëm pas një periudhe kohore ku shteti përfitues i thyen rregullat e përcaktuara me marrëveshjen për liberalizim. Tek atëherë Bashkimi Evropian apo ndonjë shtet anëtar mund të iniciojnë kërkesë për suspendim të vizave”, tha Gazmir Raci-Analist.
Sipas tyre, ky ishte mesazh paralajmërues i presidentit francez para vizitës së pesëshes diplomatike në Prishtinë të shtunën.
“Kjo çka ishte sot, ishte më shumë si mjet presioni për Kosovën dhe Serbinë në kuadër të vizitës që do të bëjnë ndërmjetësit në fund të javës në kuadër të dialogut”, deklaroi ai.
“Çështja është pezulluar nga ana e Francës sepse ka të bëjë me respektin e fjalës së dhënë dhe fjala nuk po mbahet”, deklaroi Emmanuel Macron nga Tirana, derisa më vonë u sqarua se çështja e liberalizimit të vizave është e hapur.
Top Channel