Rriten tensionet me Iranin, SHBA-të arrestojnë të afërmit e gjeneralit të ndjerë iranian Qasem Soleimani

04/04/2026 18:28

Shtetet e Bashkuara kanë arrestuar mbesën dhe një të afërme tjetër të gjeneralit të ndjerë iranian Qasem Soleimani, ndërsa u është revokuar edhe statusi i rezidentit të përhershëm në vend.

Sipas Departamentit të Shtetit, Hamideh Soleimani Afshar dhe vajza e saj janë marrë në kujdestari nga autoritetet e emigracionit (ICE) dhe pritet të dëbohen nga SHBA.

Vendimi është firmosur nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, i cili deklaroi se ato kishin humbur të drejtën e qëndrimit në SHBA. Ai i cilësoi si mbështetëse të regjimit iranian dhe akuzoi Soleimani Afshar për shpërndarje propagande në rrjetet sociale.

Ndërkohë, autoritetet amerikane kanë ndaluar edhe hyrjen në SHBA për bashkëshortin e saj.

Gjenerali Qasem Soleimani, ish-komandant i Forcës Quds, u vra në vitin 2020 në një sulm ajror amerikan në Bagdad, i urdhëruar nga presidenti i atëhershëm Donald Trump.

Soleimani konsiderohej një nga figurat më të fuqishme ushtarake të Iranit dhe një arkitekt kyç i operacioneve të tij në Lindjen e Mesme.

 

Top Channel