Shumë ushqim dhe produkte për higjienën personale! Top Channel sjell pamjet nga pika e furnizimit për ushtarët në Gaza

16/10/2023 10:00

Ekipi i Top Channel vijon të ndjek nga afër zhvillimet përgjatë kufirit me Gazën për të përcjellë në kohë reale se çfarë po ndodh në vijën e parë të frontit të luftës.

Krahas materialeve të rënda filmike nga zona e luftës, gazetari i Top Channel Artur Bibe ka përcjell edhe disa momente ndryshe nga kampet e fushimit të ushtarëve izraelit.

Shumë ushqim dhe produkte për ruajtjen e higjienës personale janë grumbulluar për përmbushjen e nevojave bazë të personave që ndodhen në front të luftës.

“Ndodhemi në një pikë furnizimi për ushtarët, aty ku mblidhen qindra forca ushtarake për t’u ushqyer çdo ditë, tre vakte në ditë. Në çdo moment ka për të ngrënë sepse ka sasi të mëdha ushqimi dhe jo vetëm ushtarët por gjithkush që ka nevojë të ushqehet mund të vijë këtu dhe të marrë, nuk ka asnjëlloj kufizimi. Natyrisht flasim për një strukturë të organizuar nga ushtria, me ndihmën e madhe të vullnetarëve të cilët e konsiderojnë detyrë patriotike të tyre të vijnë të ndihmojnë, duke dhënë kontributin në luftën e vendit të tyre, qoftë duke gatuar, duke pastruar apo duke qenë edhe vetëm të pranishëm për të ndihmuar forcat ushtarake që do t’i drejtohen frontit”- tha Bibe.

Top Channel