Mungesa e fuqisë punëtore është një problem aktual i shoqërisë shqiptare, që dita ditës po prek gjithnjë e më shumë sektor.

Edhe në furrat e bukë, nevoja për profesionistë është e madhe. Ndonëse pagat janë rritur, për të tërhequr punëtorë, sërish shqiptarët zgjedhin që të punojnë jashtë.

“Po na ikin nga vendi të gjithë specialistët që ne na duhen. I kemi rritur pagat në masën mbi dyfish dhe përsëri po na ikin. Një specialist ka arritur të paguhet sa në Greqi, një milionë e gjysmë lekë dhe prap ikin se i merr Gjermania dhe perëndimi, deri në Angli kanë shkuar, të gjithë specialistët kanë ikur. Punëtori rri në një punë deri sa të gjej një ofertë jashtë shtetit dhe pastaj ikin dhe pa lajmëruar fare”– tha Ali Dedolli, sipërmarrës.

Furrat e bukës prej kohësh e kanë ngritur shqetësimin e rritjes së çmimeve të lëndëve të para. Por mes sforcimit të vazhdueshëm, nuk e përjashtojnë mundësinë e rritjes së cmimit të bukës.

Rritja e çmimeve ka filluar që pas pandemisë dhe vazhdon pafund. Ne nuk po dim cfarë të bëjmë, shumë furra po mbyllen. Po sforcohemi, mund të rrisim dhe cmimin e bukës. Një bukë masive që tani shitet 100 lekë mund ta cojmë deri në 120 leke. Atëherë tjetri që vjen do thotë do marr një simite”- tha Dedolli.

Mes problematikave që po përballet ky sektor, renditet edhe TVSH-ja.

“Problemi më i madh është TVSH-ja, nuk po e lëviz njëri tvsh-në. Ne jemi i vetmi vend në rajon që e kemi 20%, kur Italia e ka 6%, Greqia mund ta ketë te 9%. Shporta jonë është skandal fare”- tha Dedolli.

Në mungesë të fuqisë punëotre, kohën e fundit është kthyer në një zgjidhje edhe punësimi i të huajve, por edhe këta të fundit në shumë raste qëndrojnë për një kohë relativisht të shkurtër dhe largohen për në vende të tjera.

Top Channel