63 persona janë helmuar nga ushqimi në komunën e Malishevës. 12 prej tyre janë transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për shkak të gjendjes së tyre pas infektimit.
Në Klinikën Infektive është e shtrirë edhe një vajzë 20 vjeçare, nëna e së cilës thotë se gjendjen e ka të rënduar.
“Po merr infuzion për të shpërlarë organet e infektuara, e ka edhe temperaturë”, tha Shqipe Sopa, nëna e një prej pacienteve.
Ajo thotë se e bija e saj ka shfaqur simptoma që nga dita e mërkurë.
“Prej të mërkurës kemi tentuar ta trajtojmë në Malishevë, por s’kanë mund të bëjnë asgjë dhe e kemi sjellë në Prishtinë”.
Drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj thotë se pacientët janë të moshave tetë deri në 48 vjeç dhe janë të infektuar me salmonelë.
“Në bazë të të dhënave klinike sugjerohet se kemi të bëjmë me një salmonerozë, por duhet të presim testet”.
Ndërkohë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës ka njoftuar se lokali ku dyshohet se u helmuan qytetarët e Malishevës është mbyllur përkohësisht deri në një vendim tjetër për shkak të kushteve të rënda sanitare.
“Lokali ka qëndruar i mbyllur dhe inspektimi ka vazhduar edhe sot, ku janë marrë mostra na ambientet e punëve, veglat dhe duart e punonjësve”.
Policia e Kosovës ka arrestuar pronarin e lokalit për prodhim dhe vënie në qarkullim të artikujve të dëmshëm ushqimor, për çka edhe po vazhdon hetimet.
Top Channel