Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e radhës të kabinetit qeveritar të mbajtur sot ka folur edhe një herë për ngjarjet e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit

Ai ka thënë se nga ajo e diel e fundit të shtatorit gjithçka është ndryshe, ku theksoi se përfshirja e institucioneve të Serbisë në sulmin terrorist në Banjskë dhe lirimi i Radojçiçit në më pak se 24 orë pas arrestimit janë motiv shtesë për skenarë tjerë destabilizues.

“Shumëçka është ndryshe nga ajo e diel, gjithçka do të ishte ndryshe sikur grupi terrorist dhe plani i tyre për aneksimin të katër komunave në veri të vendit të mos neutralizoheshin që në aktin e parë. Ata dështuan dhe kjo i ka bërë shumë të dëshpëruar. Dokumentimi para syve të botës i përfshirjes të paktën 4 shtresave të shtetit serb, përkatësisht presidentit, shërbimit të inteligjencës, Ministrisë së Mbrojtjes dhe ushtrisë serbe në frymëzimin, përgatitjen dhe furnizimin dhe pjesëmarrjen në fshatin Banjskë janë  motiv shtesë  për skenarë tjerë destabilizues. Lirimi i Radojçiçit në më pak se 24 orë pas arrestimit është  dëshmi dhe sinjal për rigrupim dhe hakmarrje”, ka thënë Kurti.

Kurti theksoi se institucionet e sigurisë dhe inteligjencës kanë hetuar rrezikun në rritje të inskenimit të sulmeve të ardhshme.

“Institucionet e tona të sigurisë dhe inteligjencës së fundi kanë hetuar rrezikun në rritje të inskenimit të sulmeve të dhunshme nga grupe të strukturave kriminale të Serbisë në Kosovë. Qëllimi kryesor i tyre është fajësimi i Policisë së Kosovës dhe paraqitja e saj si forcë shtypëse për serbët e Kosovës. Për të arritur këtë nuk ka zgjedhur çmim, nuk do të zgjedhin mjet. Fatkeqësisht që mbështetja që grupi terrorist ka marrë nga Serbia duke u trajtuar si heronj dhe  martirë dhe në anën tjetër duke intensifikuar aktivitetet e ushtrisë përgjatë kufirit tonë vetëm se i ka inkurajuar. Provuan të ndryshojnë realitetin në terren përmes veprimeve të organizuara paramilitare por nuk ia arritën”, tha ai.

Kurti gjithashtu u ka bërë thirrje serbëve për vetëpërmbajtje.
“Ju bëj thirrje veçanërisht juve qytetarëve serbë që të jeni të vëmendshëm e të përmbajtur ndaj cytjeve. Në Kosovë jemi të gjithë te barabartë. Nuk ka komunitete të padëshiruara”, deklaroi ai.

 

Top Channel